Mimoza Kusari- Lila, kryetare e komunës së Gjakovës/ Foto: Atdhe Mulla

Fakte të Shpejta për Gjakovën

Mimoza Kusari- Lila në dy vitet e para të saj si kryetare pretendon se ka arritur t’i realizojë rreth 40 për qind të premtimeve që ka dhënë në fushatë, kur synonte ta merrte drejtimin e komunës.

Ajo është e para dhe e vetmja grua që ka drejtuar ndonjëherë një komunë në Kosovë.

Dy vjet më parë, në fushatë e debate parazgjedhore, ajo kishte premtuar shumë për gjakovarët.

Tani ka ardhur koha që ta bëjë një bilanc të punës në mes të mandatit dhe këtë e ka bërë në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”.

Kusari Lila nga Aleanca Kosova e Re ia mori udhëheqjen e komunës Pal Lekajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pas dy mandatesh.

Ja disa nga faktet e qeverisjes së Mimoza Kusari- Lilës në Gjakovë:

1. Në kabinetin qeverisës të Mimoza Kusari-Lilës, dy drejtori komunale udhëhiqen nga gratë.

2. Mimoza Kusari-Lila dy vitet e para të qeverisjes në Gjakovë ka ndërruar së paku 4 drejtorë komunalë.

3. Anëtare e bordit të ndërmarrjes publike “Çabrati” dhe menaxhere në fabrikën për prodhimin e mbulesave INTERTEX është Ardita Rizvanolli, vajza e tezës së Kryetares Mimoza Kusari.

4. Në Ndërmarrjen për menaxhimin e mbeturinave “Çabrati” Kryeshefe Ekzekutive është zgjedhur Nora Gola, kunata e Kryesuesit të Kuvendit Luan Gola.

5. Opozita akuzon kryetaren se bordet e Ndërmarrjeve Publike në Gjakovë janë të politizuara dhe  ka nepotizëm.

6. Mimoza Kusari-Lila kishte premtuar se në tri vitet e para do t’i punësojë 3 mijë persona ndërkaq tani deklaron 800 të punësuar për dy vite.

7. Mimoza Kusari – Lila ka pasur mbrojtje të afërt nga policia për shkak të dyshimeve për kërcënim me jetë.

8. Në fabrikën për prodhimin e mbulesave INTERTEX fillimisht janë punësuar 70 persona por numri i të punësuarve tani ka arritur në 160.

9. Gjakova është shpallur zonë e lirë ekonomike në Mars të vitit 2014 nga Qeveria.

10. Komuna ka ndarë fondin e mbështetjes  për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme  në vlerën prej 90.000 euro, por Kryetarja ka premtuar që ky fond fillimisht do të jetë 500 mijë euro dhe do të rritet në 2 milionë.

11. Biblioteka Elektronike që e kishte premtuar Mimoza Kusari- Lila nuk është hapur.

12. Investitori për fabrikën e kërpudhave “Hirano-Moshrooms”  është larguar  nga Gjakova.

13. Valon Lluka, djali i asamblistittë AKR-së në Gjakovë, Masar Lluka, ka qenë udhëheqës i kompanisë së interesuar të investojë në kërpudha në Gjakovë.

14. Armend Vokshi, drejtor i Administratës së Përgjithshme në Gjakovë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare por vazhdon të jetë në punë edhepse Kusari-Lila ksihte premtuar që gjithë ata që kanë aktakuzë nuk do të jenë pjesë e qeverisjes së saj.

15. Katër inspektorë të komunës së Gjakovës janë shpallur të pafajshëm  nga Gjykata Themelore në Gjakovë por Kusari- Lila po refuzon ti kthej në punë.

16. Avokati publik është suspenduar pasi që kanë filluar hetimet ndaj tij.

17. Kusari- Lila e ka hapur Zyrën Informative Turistike në Çarshinë e Madhe me përkrahje të  organizatës suedeze për trashëgimi kulturore CHWB.

18. Është hapur konsullata e nderit e Republikës së Shqipërisë për ta mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

19. Është ndarë toka për kampusin e ri universitar po ende nuk është pastruar as nivelizuar vendi ku do të bëhet ndërtimi.

20. Fabrika BAU IMN e cila merret me prodhimin e argjilës dhe është në menaxhim të kompanisë ALTRADE ka punësuar 40 persona në Gjakovë .

21. Në lagjen Çabrati, 12 familje jetojnë në mes të fekaleve për shkak të kanzalizimit për të cilën banorët e fajësojnë komunën e kryetarja thotë është problem i familjeve që s’po mund të mirren vesh.

22. Problemi i kanalizimit në Çabrat daton qysh në kohën e Pal Lekajt.

23. Është organizuar konferenca e donatorëve në Gjakovë nga e cila komuna pret investime por nuk ka informata që ndonjë prej atyre donatorëve të jashtëm që kanë marrë pjesë në atë konferencë kanë rezultuar të kenë investuar diçka në Gjakovë.

http://kallxo.com/problemet-ne-gjakove-fajet-ne-prishtine/