Fakte të Shpejta për Fushë Kosovën

Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha dha llogari për 2 vjeçarin e parë të mandatit të tij të tretë në krye të Fushë Kosovës në një emision debati me Jeta Xharrën.

Pjesë e diskutimit për të arriturat dhe sfidat e tij në krye të komunës ishin edhe anëtarët e asamblesë komunale të Fushë Kosovës, me përjashtim të këshilltarëve komunalë të PDK-së të cilët kishin vendosur të mos merrnin pjesë fare në këtë debat.

Për më shumë se një orë, Berisha u pyet për të gjitha ato që ka premtuar gjatë fushatës dhe debateve zgjedhore në vitin 2013.

Ai e drejton një komunë me rreth 30 mijë banorë të regjistruar, ndërsa thotë se ka shumë të tjerë që jetojnë e punojnë në Fushë Kosovë, marrin shërbime nga kjo komunë por që nuk janë të regjistruar si banorë të komunës.

Këto janë disa nga faktet e komunës së Fushë Kosovës të dala nga ky debat:

1. Fushë Kosova ka probleme me qytetarët që thuhet se i shfrytëzojnë shërbimet komunale por nuk janë të regjistruar në këtë komunë.

 

2. Në zgjedhjet e fundit, Burim Berisha kishte fituar rreth 65 përqind të votave, pa balotazh.

 

3. Që nga viti 2000, komuna e Fushë Kosovës qeveriset nga LDK.

 

4. Fushë Kosova ka mbi 34 mijë banorë dhe buxhet rreth 8 milionë euro.

 

5. Dy çerdhe të ndërtuara në komunën e Fushë Kosovës nuk funksionojnë. Njëra është në fshatin Bardh I Madh e tjetra në Miradi.

 

6. Kryetari i komunës pretendon se premtimet në shëndetësi i ka realizuar 86% të investimeve të premtuara, në ndriçim dhe rregullim të rrugëve 40, asfaltim 66, ambient 85 dhe në kontejnerë, rindërtime e trotuare mbi 45%.

 

7. Problem të madh fshatrat e Fushë Kosovës kanë me mungesë të trotuareve. Burim Berisha e pranon por thotë se në dy vitet e ardhshme, rreth 400 mijë euro do të investohen në trotuare.

 

8. Shtëpia e Kulturës në Fushë Kosovë është e vjetër dhe pa investime. Kryetari i komunës thotë se nuk do të investojë për ta rinovuar. Synon ta ndërtojë një të re, por nuk ka plan se kur do ta bëjë këtë.

 

9. Komuna e Fushë Kosovës funksionon në objekt me qira. Paguan qiranë mbi 16 mijë euro në muaj apo 192 mijë euro në vit.

 

10. Procesverbalet e mbledhjeve të komunës nuk bëhen ende publike. Burim Berisha premton se ato do të publikohen që nga fillimi vitit 2016.

 

11. Trafiku, buxheti i vogël në raport me numrin e banorëve dhe mungesa e ambulancave nëpër fshatra llogariten tri problemet më të mëdha të komunës së Fushë Kosovës.

 

12. Kur të ndërtohen shkollat në Pomozotin dhe Vragoli, Fushë Kosova do ta përmbyllë ciklin e ndërtimit të shkollave të reja në hapësirën komunale.

 

http://kallxo.com/paradokset-e-fushe-kosoves-uji-i-pijshem-por-i-turbullt/