Fadil Vokrri Lavdëron Michel Platini-n

Në një intervistë për KALLXO.com, Fadil Vokrri, foli me tone pozitive për legjendën e futbollit francez që për disa vjet udhëhoqi shtëpinë më të madhe europiane të futbollit.

Vokrri tha se Platini është një ndër më meritorët që Kosova u pranua në UEFA në maj të vitit 2016.

“Të gjitha këto procese, të gjitha këto takime, të gjitha këto lobime që i kemi bërë nëpër shtete të ndryshme, sigurisht që mos të ishte një vullnet i jashtëzakonshëm, i mirë nga ana e UEFA-s, gjegjësisht të presidentit të atëhershëm, Michel Platini, sigurisht që do të na vështirësoheshin punët më shumë sepse edhe ashtu i kemi pasur situatën e vështirësuar”, tha Vokrri për KALLXO.com.

Vokrri përmend pengesën që një nen i Statutit të UEFA-s ia paraqiste Kosovës për pranim në futbollin ndërkombëtar.

“Ka qenë një tentim i vet Kuvendit që të shmanget ai nen, nuk është arritur amandamentimi i atij neni, pastaj vet kërkesa e disa federatave që ne i kemi konsideruar mike, që të shkohet në votim sekret, gjithë këto kanë vështirësuar punën e federatës për pranimin e Kosovës në këto dy instanca ndërkombëtare”, ka thënë Vokrri duke iu referuar edhe anëtarësimit të mëvonshëm në FIFA.