Foto: REL/Reuters

EUROPOL-i kryen operacion kundër mediave të ISIS-it

Agjencia Europiane e Policisë EUROPOL tha se një operacion ndërkombëtar i ka shkaktuar “goditje të madhe” propagandës në grupit militant Shtetit Islamik në internet.

Specialistë të kibernetikës në vende të ndryshme të Europës, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar ueb-faqet e tij online, përfshirë Agjencinë e Lajmeve Amaq, e cila është parë si zëdhënëse kryesore e Shtetit Islamik.

EUROPOL-i tha se ka konfiskuar prova digjitale dhe serverë dhe se xhihadistët e Shtetit Islamik tani mund të identifikohen.

Shtetet e BE-së, të përfshira në operacionin e EUROPOL-it që u zhvillua nga data 25 deri më 26 prill, kanë qenë: Belgjika, Bullgaria, Franca, Holanda, Rumania dhe Britania e Madhe.

EUROPOL-i tha se të dhënat e marra pritet të ndihmojnë policinë që të identifikojë administratorët e mediave të Shtetit Islamik dhe “individë potencialisht të radikalizuar”.