EULEX, Nga 6 Gjykime Për Korrupsion në Vit

Duke u mbështetur në hulumtimin e bërë nga Shaunna Calpin dhe Gabriel David Crossley, studentë të Universitetit të Oxford-it, Lëvizja FOL sot ka dalë me një vlerësim lidhur me punën e Misionit të EULEX-it në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes, Petrit Zogaj, tha se Misioni i EULEX-it ka pasur probleme në funksionimin e tij, si në aspektin e brendshëm të pozicionimit politik dhe strategjik të BE-së ashtu edhe në aspektin praktik.

“Për 7 vite Misioni i EULEX-it në Kosovë ka marrë vetëm 47 vendime në rastet kundër korrupsionit. Kjo i bie që brenda një viti janë përmbyllur 6 raste kundër korrupsionit… Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Misioni ka përfunduar 23 raste”, tha Zogaj, duke theksuar se hulumtimi përfshinë periudhën nga viti 2008 deri më 19 gusht 2015.

Më tej, Zogaj tha se EULEX-i ka përforcuar mosbesimin e qytetarëve në institucionet e pavarura të drejtësisë.

“Ne do t’ia falnim mungesën e rasteve të papërfunduara në Kosovë, mirëpo është problematike t’i falim EULEX-it që e ka dërguar  tutje idenë që Kosova ka problem që të ndërtojë institucionet e pavarura të rendit dhe ligjit”, shtoi ai.

Ndërsa, Krenar Gashi doktorant në shkencat politike, tha se nëse analizohen rezultatet e EULEX-it në Kosovë gjatë këtyre 8 viteve shihet qartë se ky Mision ka dështuar.

“Nëse flas si kosovar dhe si hulumtues i Kosovës, EULEX-i ka dështuar dhe nuk do shumë punë për ta kuptuar”, tha Gashi.

Më tej, ai tha që një pjesë e mirë e fajit sa i përket dështimit në luftën për korrupsion i takon vet sistemit tonë, sepse vet gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit tonë, janë akomoduar në kohën e UNMIK-ut, duke pritur që gjithçka të vijë nga lart dhe nuk e kanë shfrytëzuar prezencën e EULEX-it për t’u aftësuar profesionalisht.

“Është koha e fundit që sistemi gjyqësor i Kosovës të bëjë një listë për gjyqtarët që janë të nevojshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Neve na duhet asistencë, dhe kjo duhet të vijë nga Bashkimi Evropian në bazë të nevojave që kemi ne”, shtoi ai.