Etno Fest Nisi pa Kritika e Ankesa

Pak para perëndimit të diellit, 24 kilometra larg Prishtinës nisi festivali i artit dhe kulturës tradicionale  Etno Fest.

Ndryshe nga dje, në fjalën hyrëse, drejtori i festivalit, Fadil Hysaj tha se sot nuk do të kritikojë askënd e as të ankohet.

Në kundërshtim me traditën, ai të pranishmëve iu drejtua duke lexuar në telefon e jo në letër.

“Ky projekt nuk është më projekt familjar, por nacional. Ne e kemi humb qetësinë familjare këtu, për me pas ju një oazë e një frymë nga e kaluara. Dhuratë për popullin tonë,” tha regjisori.

Ai paralajmëroi që në të ardhmen do të bëjë festival të veçantë për kulinarinë rajonale.

Ky edicion nisi me hapjen e katër ekspozitave paralele. Në hapësirat e Etno Teatrit, që dikur ishte ahur, u ekspozuan pikturat e Eshref Qahilit. “Na ishte dikur…” është ekspozitë qe kthen vizitorin në retrospektivë.

E në ambientin jashtë, u hapën ekspozitat: “Hyjneshat në Kukaj” e skulpturave të Arijeta Miftarit, ekspozita “Frymëmarrje në gardh” e pikturave dhe skulpturave të Mentor Berishës – dhe ekspozita e etnoeksponateve nga Xhemë Bunjaku.

Më pas nisi të shfaqej dokumentari “Magjia e magjes ilire (Art of Ilirian culinary)” nga Ahmet Dursan, por për shkak të problemeve teknike u la në gjysmë. Më pas Dursan para të pranishmëve gatoi mish qengji me barishte dhe qumësht, të cilin tha se e kanë gatuar ilirët.

E më pas u promovuan 15 vëllimet e Eposit të Kreshnikëve, i realizuar në periudhën 2012-2014.

“Është fat i madh që ky material i ruajtur në teren, në viset tona, në pesë shtete të Ballkanit ku shtrihen shqiptarët, është edhe njësia e vetme e gjallë e eposeve të lashta heroike,” tha autori Zymer Neziri.

Programi vazhdoi me këngën epike për Mujën e Halilin e kënduar nga Bajram Baja, e cila zgjati afër 40 min.

Në fund të pranishmit kishin rastin të shikonin “Yjet mbi Kukaj” me teleskop nga “Astronomy Club of Kosova”.

E natën e mbylli “Etno After Party” me Jehona Lumi Duo.

Etnofest do të vazhdojë deri të shtunën dhe në secilën ditë program nisë në orën 17:00 e zgjatë deri pas mesnate.

etno1 etno2 etno3 etno4 etno5 etno6 etno7 etno8 etno9 etno10 etno11 etno12 etno13 etno14 etno15