‘Etno Fest’ Mbyllet me Çmime Kontroverse

Çmimi për shfaqjen më të mirë të festivalit EtnoFest nuk u dha fare meqë, sipas mendimit të jurisë, atë nuk e meritonte dikush tjetër pos Fadil Hysajt.

Por duke qenë drejtor i këtij festivali, tre anëtarët e jurisë kishin vendosur të mos e jepnin fare atë

Një çmim nga ky festival megjithatë hyri në familjen e Hysajt, pasi që bashkëshortja e tij, Sheqerie Buqaj ushpërblye me çmimin ‘Aktorja më e Mirë’.

Edicioni gjashtë i festivalit Etno Fest, që u mbajt në fshatin Kukaj të Prishtinës u mbyll sonte me një program artistik dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Grupi që mban emrin e këngëtares së njohur shqiptare Vaçe Zela, hapi programin e natës së fundit të Etno Fest. Ky ansambël fitoi 3 nga 10 çmimet e festivalit.

Pas afër gjysmë ore performancë e cila ishte pjesë zyrtare e programit, valles që udhëhiqej nga 82 vjeçari, Ali Mema iu bashkua edhe publiku.

Më pas tek oda e vjetër, u shfaq dokumentari “Këngë e Defa” i Fatime Kosumit.

Derisa juria të vendoste për çmimet, rapsodët Gani Hoxhaj dhe Ragip Bytyçi kënduan në odën e vjetër.

Pas tyre Jakup Krasniqi interpretoi melodi me gajde.

E ndërkohë që ndaheshin çmimet, Ahmet Dursun gatoi ushqimin e radhës. Ai sonte përgatiti mish qengji me fruta të thata.

E në një skenë tjetër, amfiteatër, u ndanë 10 çmimet e këtij edicioni.

Juria e përbërë nga Ukë Xhema, Haqif Mulliqi e Bislim Muqaj, kishte vendosur që çmimin e shfaqjes më të mirë mos ta ndante fare, ngase sipas tyre shfaqja më e mirë ishte e ajo e Fadil Hysajt, e ky mund të interpretohej si konflikt interesi.

Por, me çmimin aktorja më e mirë u shpërblye Sheqerie Buqaj, bashkëshortja e Fadil Hysajt.

Tri çmime shkuan për ansamblin “Vace Zela”.

Çmimi i karrierës: Ahmet Dursun – kuzhina ilire

Ansambli më i mirë: Ansambli Vaçe Zela

Valltari më i mirë: Ali Mema

Aktori më i mirë: Mehdi Malkaj

Aktorja më e mirë: Sheqerie Buqaj

Rapsodi më i mirë: Bajram Baja

Performanca më e mirë: Ansambli “Ylberi mbi Kala” – Shkodër

Ekspozita më e mirë: Arjeta Myftari – “Hyjnesha në Kukaj”

Kostumet më të mira: ansambli “Vaçe Zela”

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, i cili ishte i pranishëm në natën e katërt finale të festivalit, e lavdëroi punën e bërë në prezantimin etraditës shqiptare.

“Ky festival është margaritar që është shumë i vogël, por që rrezaton shumë”, tha ambasadori Minxhozi.

Disa fjalë për fund i pati edhe vetë drejtori i festivalit, Fadil Hysaj.

“Nëse ka diçka qe ia vlen ta bësh në këtë kohë, kjo që po përjetojmë këto 4 net ia ka vlejtë shumë edhe me u lodhë edhe me u ndi i lumtur”, tha Hysaj.

Në fund nata u mbyll me këngët e vjetra të Nezafete Shalës dhe grupit “Melodia e Vjetër”.

KALLXO.com u nderua me mirënjohje nga organizatorët e festivalit.