Etiketime Anti-Shqiptare në Shkup

“Vdekje për shqiptarët”. Ky është grafiti i radhës i cili në Shkup iu vu mureve të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Nuk mjaftoi që të shkruhet veç njëherë, por “autori” e përsëriti në tri vende, që të shihet nga të gjitha anët e rrugës.

Drejtori i këtij Instituti, Skender Asani, tregon se ky nuk është rasti i parë por i pari me etiketa të tilla kërcënuese, shkruan tv21.tv

“Kemi pasur raste periferike të cilat na kanë shqetësuar, kemi pasur djegie të bredhave në godinën e institutit, pastaj kemi pasur presione të ndryshme. Ja për shembull, nuk është hera e parë që shkruhen grafite, por grafite me këtë titull janë për herë të parë, të cilët na vendosin edhe shenjën, që na përkujtojnë periudhën e Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë ishin të identifikuar për t’u sulmuar, dhe kjo shenjë na shqetëson ne”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH.

Këto akte, drejtori i Institutit, i sheh si pasojë e paragjykimeve dhe nacionalizmit të tepruar, të mbjellë tek individë të caktuar.

Ai shton se rasti është paraqitur pranë organeve të policisë dhe se pret rezultate.

Forcat e rendit thonë se nuk kanë të dyshuar dhe se po punojnë në zbardhjen e rastit.

Por ç’mendim kanë kalimtarët e rastit për këto etiketime!?

“Pyetja: “Smrt za shiptari”, çfarë mendoni për këtë? “Kjo nuk shkon. Nuk na shkruan në ballë nëse je shqiptar apo maqedonas. Nuk shkruan! Vetëm njeri duhet të jesh. Ka qenë një politikan malazez që thoshte, duhet të jesh njeri me “NJ” të madhe”.

“Mendoj se nuk duhet të ketë diskriminim në shoqërinë tonë, kuptohet që të gjithë kemi të drejta njerëzorë”.

“Nuk më pëlqen kjo gjë, sepse të gjithë jemi njerëz dhe nuk duhet të kemi ndasi”, thanë disa qytetarë.

Ky incident është i dyti brenda 24 orëve në Shkup.

Dje qindra protestues bënin thirrje për deportim të shqiptarëve dhe shanin mbi baza nacionaliste. E gjithë ndodhi, në kohën kur brenda në kuvend deputetët po votonin ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili shqipen e çon në një nivel më të lartë të përdorimit në shtet.

Pakkush ka reaguar për gjuhën e urrejtjes së përdorur dje publikisht para kuvendit në Shkup. /21Media