Ethem Çeku Rizgjedhet Dekan i Edukimit

Ethem Çeku është rizgjedhur dekan i Fakukltetit të Edukimit.

Votimi i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit nxori fitues dekanin e deritanishëm.

Për Çekun votuan 21 anëtarë ndërsa 16 e mbështetën kundërkandidaten e tij, Eda Vula. Një votë ishte e pavlefshme.

Para se të bëhej votimi për dekan, anëtarët e Këshillit të Fakultetit zgjodhën Haki Xhaklin si përfaqësues i Fakultetit të Edukimit në Senat të UP-së.

Pas ri-zgjedhjes së tij si dekan, Çeku tha se do të punojë më tepër në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimit të stafit akademik. Por prioritet thotë të jenë studimet e doktoratës në këtë fakultet.

“Programin e doktoratës që e kemi filluar, e kemi akredituar së bashku me Universitetin e Lubjanës, dhe do të bëjmë çmos që një pjesë të stafit tonë të vazhdon post doktoratën, një pjesë të studentëve të shkëlqyer do t’i dërgojmë në doktoraturë jashtë vendit,” deklaroi Çeku.

Ai tregoi se 10 studentë të këtij fakulteti janë në studimet e doktoratës në Universitetin e Lubjanës, 3 studentë në master dhe pretendojnë që edhe këtë vit të dërgojnë një pjesë të stafit të ri të studentëve të programeve të masterit dhe bachelorit në doktorata.

“Të forcohet mësimi praktik, po ashtu të forcohet instituti, dhe disiplina në fakultetin tonë të jetë gjithmonë në një fokus të angazhimeve më të mëdha për të reformuar dhe për të përgatitur student të cilët do t’i shërbejnë sistemit arsimor, vendit dhe kombit,” shtoi ai.