Ermonela Jaho duke interpretuar rolin e Motrës Angjelikë | Burimi: YouTube / The Royal Opera

Ermonela Jaho Fiton Çmimin Ndërkombëtar të Operës

Adhuruesit e operës nga e gjithë bota po përshëndesin suksesin e këngëtares së operës Ermonela Jaho të dielën në Çmimet Ndërkombëtare të Operës.

Jaho, e cila e arriti majën operistike kur këndoi në rolin kryesor të “Suor Angelica” të Puçinit në Operën Mbretërore të Londrës në vitin 2011 dhe ku performon aktualisht, doli e para në sondazhin online të kategorisë Çmimi i Publikut.

Çmimet u themeluan në vitin 2012 për të rritur profilin e operës dhe për të njohur suksesin e atyre të përfshirë në këtë formë arti. Çmimet gjithashtu mbledhin para për Fondacionin Çmimet e Operës.

Prejardhja e Jahos ka tërhequr shumë interes në SHBA dhe Evropën Perëndimore, ku pak e lidhin Shqipërinë ose shqiptarët me muzikën klasike. Të hënën, ajo ishte subjekt i një artikulli dyfaqësh në “London Times”.

E lindur në Shqipëri më 1974, Jaho u zhvendos në Itali në 1993 dhe qëndroi atje për dhjetë vjet. “Nuk doja të kthehesha,” tha ajo në një intervistë së fundmi. “Në Shqipëri, nën komunizmin, gjithashtu këndohej në shqip – shkoje në burg nëse flisje gjuhë tjetër”.

Megjithatë, të qenët një shqiptare në Itali pati gjithashtu problemet e veta, kujtoi ajo. “Na bënin të ndiheshim si qytetarë të shtresës së tretë,” tha ajo në të njëjtën intervistë.

Në vitin 2003, ajo shkoi në Nju-Jork dhe ka qëndruar në SHBA që atëherë, megjithëse e viziton disa herë në vit atdheun për të punuar me fondacione bamirësie.

Ajo ka performuar në një grup elitar operash, përfshirë Operën Shtetërore të Vjenës, Operën Shtetërore Bavareze, Operën Metropolitan në Nju Jork, Operën e Parisit, Operën Shtetërore të Berlinit, Teatro Real në Madrid, Operën e Lionit dhe atë të Marsejës.

Megjithëse pak njerëz e lidhin Shqipërinë e varfër dhe kryesisht myslimane me operën. Vendi në fakt ka prodhuar disa figura me peshë në këtë fushë. Përveç Jahos, të tjerë këngëtarë të njohur ndërkombëtarisht që kanë lindur në Shqipëri janë Inva Mula dhe Saimir Pirgu.