Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec - Foto: Rtv21

Erjavec: Sllovenia do të Ngrejë Padi Kundër Kroacisë

Shefi i diplomacisë sllovene, Karl Erjavec, deklaroi se zbatimi i vendimit për kufirin me Kroacinë është çështje ligjore, e jo politike, siç po tenton ta paraqet presidenti i Komisionit Europës, Jean-Claude Juncker.

Erjavec paralajmëroi se Sllovenia se shpejti do të ngritë padi kundër Kroacisë në Gjykatën e Bashkimit Europian në Luksemburg, për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës.

Nuk bëhet fjalë për çështje politike, siç tentoi ta paraqes Juncker, por për çështje ligjore, tha Erjavec, duke reaguar ndaj deklaratës të cilën e bëri Juncker më herët.

Duke folur për çështjen kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë, Juncker në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kroacisë, Andrea Plenkoviq, tha se në këtë grindje Komisioni nuk është aty për të thënë se a ka të drejtë njëra apo pala tjetër, por është aty për të ndihmuar.

Plenkoviq tha se nuk është opsion real që Kroacia të pranojë vendimin e arbitrazhit, por theksoi se është reale që të bisedohet dhe të arrihet një marrëveshje, e cila do të ishte e pranishme për dy palët.

Qeveria e Sllovenisë disa herë ka bërë të qartë se me Kroacinë mund të bisedohet vetëm për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit./21Media