Hetimet rreth vdekjes se gazetarit Jamal Khashoggi foto REL AFP

Erdogan: Vrasësit e gazetarit Khashoggi do të gjykohen në Stamboll

Presidenti turk, Recep Erdogan tha sot se vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ishte planifikuar shumë mirë.

Ai tha se Turqia ka dëshmi të forta se Khashoggi u vra me paramendim me një vrasje “të egër” në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Erdogan gjithashtu bëri thirrje që të dyshuarit të gjykohen në Stamboll si dhe kërkoi nga Arabia Saudite të japë përgjigje se ku është trupi i Khashoggit dhe kush e urdhëroi operacionin.

Ai po ashtu dha detaje të këtij rasti.

“Tre ekipe të 15 shtetasve sauditë kishin ardhur në Stamboll në fluturime të veçanta në ditët dhe orët që çuan në vrasjen. Një ditë para vrasjes, disa anëtarë të grupit udhëtuan në pyllin e Beogradit, pranë konsullatës – një zonë e cila u kontrollua javën e kaluar nga policia turke në kërkim të trupit”, ka treguar ai.

Ai gjithashtu përshkroi se si ekipi i kishte hequr kamerat e sigurisë dhe pamjet e mbikqyrjes nga ndërtesa e konsullatës përpara mbërritjes së Khashoggit, i cili ishte duke vizituar për të marrë dokumente për martesën e tij të ardhshme, raporton BBC.

“Kërkesa ime është që 18 vetë të gjykohen në Stamboll”, u tha ai deputetëve nga partia e tij AK në pushtet, duke shtuar se “të gjithë ata që luajtën një rol në vrasjen” do të dënohen.

Mbretëria Saudite ka bërë deklarata kontradiktore në lidhje me ish-gazetarin e Washington Post. Në fillim ata thanë se ai ishte ende i gjallë, kurse pas disa ditësh deklaruan se ai u vra në një operiacion mashtrues.