Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AFP

Erdogan: ShBA po vonohet në krijimin e zonës së sigurt në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar Shtetet e Bashkuara mbi vonesat në krijimin e një zone të sigurt në Siri, duke thënë se nëse Uashingtoni nuk do të kontribuojë në këtë përpjekje, Ankaraja do ta bejë atë e vetme.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan, diskutuan muajin e kaluar për ngritjen e zonës së sigurt në lindje të lumit Eufrat në Siri.

Turqia ka kërkuar që milicia kurde e Sirisë të tërhiqet nga atje. Presidenti Erdogan po kërkon ndihmë logjistike dhe financiare nga Uashingtoni për këtë proces.

Presidenti turk tha të martën se nëse ShBA-ja nuk i përmbahet premtimit për “pastrimin e rajonit nga terroristët” dhe nuk kontribuon në krijimin e një zone të sigurt nën kontrollin e Turqisë, atëherë “ne do të kujdesemi për këtë punë”.

Presidenti Erdogan paralajmëroi se durimi i Ankarasë po zbehet në raport me tërheqjen e luftëtarëve kurdë nga qyteti sirian Manbij. (REL)