Erdogan i kërkon Arabisë të tregojë ku ndodhet trupi i gazetarit të vrarë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Arabisë Saudite që të zbulojë lokacionin ku ndodhet trupi i gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi.

Erdogan tha se Riadi duhet ta zbulojë edhe identitetin e “bashkëpunuesit lokal”, i cili ka marrë trupin e Khashoggit pasi ai është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Erdogan konfirmoi se prokurori publik i Arabisë Saudite do të arrijë në Stamboll të dielën.

Më 20 tetor, autoritetet saudite kanë pranuar se Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite, është vrarë gjatë një procesi të marrjes në pyetje, i cili, siç ëshë thënë, ka shkuar keq.

Turqia nga fillimi ka insistuar se ai është vrarë nga disa agjentë sauditë dhe ka thënë se posedon audio-incizime që dëshmojnë krimin.