Teatri i Gjilanit

 ‘Erdhi Godoja’ të premten premierë në Teatrin e Gjilanit  

Shfaqja “Erdhi Godoja” me tekst të Daniel Curzon dhe regji të Shkëlzen Berishës, shfaqet premierë të premten, më 24 maj 2019, në ora 21:00 në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.

Përmes një njoftimi për media menaxhmenti i Teatrit të Gjilanit njofton se shfaqja është një parodi absurdiste e përcjellë me tone humori.

Përmes saj tregohet historia e dy njerëzve pa ndonjë destinacion të qartë jetësor vetëm sa për t’i bërë aktive jetët e tyre, të cilët arsyetohen se janë në pritje të shpëtimtarit të tyre, që edhe kur ju vjen, ata dështojnë ta kuptojnë atë që kanë pritur tërë jetën – Domethënien!

“Gjithçka do të prezantohet mes situatave me plot humor dhe pamjes së sjelljeve absurde që burojnë kontekste që i ndeshim në jetët tona çdo ditë”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Shfaqja do të ketë edhe një prezantim para publikut gjilanas, më 25 maj 2019, një ditë pas  premierës, po në ora 21:00.

Luajnë: Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Tringa Hasani dhe Njomëza Kalaveshi. Skenografia dhe kostumet Bekim Korça.