Prezantimi i draft-raportit të ERAC. Foto: BIRN

ERAC: Serbët e Kosovës me Vështirësi Në Marrjen e Shtetësisë së Kosovës

Një draft raport i publikuar nga Koalicioni të Drejta të Barabarta për të Gjithë (ERAC), argumenton se autoritetet kosovare duhet t’i japin prioritet procedurave të regjistrimit civil për minoritetet.

Përderisa institucionet e Kosovës po e rrisin shtrirjen e tyre në veri, rëndësia e dokumenteve do të rritet në jetën e përditshme prandaj institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë procedura të lehta të regjistrimit, thotë raporti.

Ky draft raport i titulluar “Njerëzit në Mes”, u publikua Qendra Europiane për Çështje të Minoriteteve, ECMI, si pjesë e ERAC, një grupi të përbërë nga 7 organizata jo-qeveritare të cilat merren me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Drafti i raportit numëron afro 8.000 banorë në 4 komunat veriore me shumicë serbe, si të punësuar në strukturat paralele të Serbisë, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim, dhe 90.000 të tjerë që përfitojnë nga këto shërbime.

Këto institucione kërkojnë dokumente serbe të identifikimit, thotë raporti, ndërsa kjo është një nga arsyet pse banorët e veriut vendosin t’i mbajnë dokumentet e Serbisë pa u pajisur me ato të Kosovës, përveç arsyeve politike, përfitimet të ulëta sociale dhe mundësitë e pakta për punësim.

Duke i pasqyruar hulumtimet e publikuara më herët në Prishtina Insight, draft raporti, e kritikon ndalimin e pasaportave dhe kartave të identifikimit të lëshuara nga Serbia për lokalitetet që janë në Kosovë. Ndalimi, sipas këtij raporti, i ndikon serbët dhe minoritetet e tjera- romët që jetojnë në Mitrovicë Jugore dhe goranët që jetojnë në Dragash.

Draft raporti po ashtu i konfirmon më tej shkrimet e tjera të publikuara në Gazetën JnK rreth pengesave që serbët i hasin për shkak të zbatimit të dobët të Ligjit për Shtetësinë dhe problemeve politike të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një shembull tjetër që e ilustron këtë, sipas raportit, është incidenti në korrik të vitit 2017 te pikë-kalimi Dheu i Bardhë, kur Policia e Kosovës i konfiskoi 918 kartela shëndetësore serbe dhe karta të identifikimit të Serbisë të lëshuara për banorët e Kosovës. Në kartela shkruhej “Komuna e Gjilanit, Serbi”, që qartësisht e sfidonte rendin kushtetues të Kosovës.

Bartësit e këtyre dokumenteve të cilat janë administruar nga Drejtoria Serbe për Koordinim dhe Drejtoritë Policore që nga viti 2009, nuk bëjnë pjesë në regjimin pa viza të Serbisë në zonën Schengen.

Marrëveshja e vitit 2011 për Lirinë e Lëvizjes e ndërmjetësuar nga Brukseli synoi t’i lejonte qytetarët të kalonin lirisht, nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, me karta të identifikimit. Mirëpo në fillimin e pranverës së vitit të kaluar, autoritetet kosovare i ndaluan bartësit e këtyre dokumenteve për ta kaluar kufirin, madje edhe drejt Serbisë.

Në prezantimin e draft Raportit të ERAC sot, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se zyra e tij është duke i shqyrtuar rastet e personave të cilëve padrejtësisht u është mohuar pajisja me shtetësi të Kosovës dhe se procesi i gjatë i ankimimit në gjykata nuk ka kontroll efektiv dhe se kjo është “barrë… dhe proces shumë i komplikuar”.

Pjesëmarrësit në prezantimin e draft raportit folën edhe për nevojën e krijimit të sistemit të njohjes së ndërsjellë të të gjitha certifikatave, të martesës, të divorcit dhe të vdekjes.

“Nëse jam në Kosovë, nuk jam i martuar, e në Serbi jam”, tha si në shaka, zëvendës-kryetari i Komunës së Ranillugut, Davor Petkoviq, para se të theksonte se komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë rol kyç në zgjidhjen e problemeve të tilla.

Snezhana Karaxhiq, këshilltare për komunitete në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, tha se procedurat e regjistrimeve civile të menjëhershme kanë shumë të rëndësishme, veçanërisht për personat e shpërngulur.

“Kjo e përbën pjesën më të rëndësishme të shoqërisë, ka të bëjë me lirinë e lëvizjes së qytetarëve… por në të shumtën e rasteve varet nga vullneti politik dhe është pjesë e marrëveshjeve politike”, tha ajo.

Draft raporti i ERAC thekson se regjimi i kosovar i shtetësisë e garanton të drejtën e dyshtetësisë, dhe është i bërë specifikisht për serbët e Kosovës dhe të drejtën e tyre për t’i mbajtur dy shtetësi.

“Megjithatë kjo po ndodh deri më tani dhe është pak e mundshme të ndryshojë në rast se vazhdojnë mospajtimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ky raport.

“Problem qendror është se me ligjin e Kosovës pasaportat dhe kartat e identifikimit e lëshuara nga Drejtoria për Koordinim dhe Drejtoria e Policisë nuk konsiderohen si të barabarta me paraportat dhe ID-të e zyrtare të Serbisë. Në fakt, këto dokumente nuk mbulohen nga Ligji për Shtetësi në Kosovë, sepse ato (dokumentet) thonë se Kosova është pjesë e Serbisë.”