Era e Fortë Shtyn Garën e Albin Tahirit

Gara e skitarit Albin Tahiri,  i cili përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike dimërore në PyeongChang të Koresë Jugore është shtyrë për shkak të erës së fortë.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një postimi në “Twitter”.

“Duhet të presim ndonjë ditë tjetër për të parë atletin tonë Albin Tahirin”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Albin Tahiri ishte paraparë të garonte sot por gara është anuluar për shkak të erës së fortë.

Komiteti Olimpik i Kosovës kishte bërë të ditur se garën e parë, Albin Tahiri do ta ketë sot, më 11 shkurt, në lëshim të shpejtë.

Garat e lëshimit të shpejtë ishin paraparë të fillonin në ora 3 të mëngjesit me kohën lokale të Kosovës, kurse në 11:00 me kohën në Korenë e Jugut.

Lëshimi i shpejtë mbahet në qendrën alpike në Jeongseon, e cila ndodhet rreth 40 kilometra larg qytetit të PyeongChangut.

Garën e dytë, Albini do ta ketë më 13 shkurt në kombinim alpik. Gara fillon në ora 3:30 me kohën e Kosovës.

Dy ditë më vonë, më 15 shkurt Albin Tahiri do ta sfidojë veten në një ditë të veçantë për të. Ai do të garojë në super sllallom të madh në ditën kur do të mbush 29 vjet. Edhe kjo garë fillon nga ora 03:00 me kohën tonë lokale.

Gara e ardhshme e tij është ajo e sllallomit të madh që mbahet  më 18 shkurt, dhe e cila fillon nga ora 2:15.

Sfida e fundit në të cilën do të marrë pjesë Albin Tahiri në gara të LOD PyeongChang 2018 do të jetë më 22 shkurt, kur do të garojë në sllallom, duke filluar nga ora 2:15, thuhet në komunikatën e Komitetit Olimpik të Kosovës.