Enver Hoxhaj- Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj zbut fjalët për universitetet e paakredituara

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar përsëri lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin e Universitetit publik të Pejës, atij të Prizrenit dhe të Mitrovicës.

Përderisa të hënën Hoxhaj e kishte cilësuar këtë vendim të ‘papranueshëm dhe i nxituar’, nënkryetari i PDK-së një ditë pas thotë së është ‘koha e duhur’ dhe së është vendim i ‘domosdoshëm’.

Megjithatë, Hoxhaj ka deklaruar në rrjetin social ‘Facebook’ se ‘mbyllja e tyre nuk është zgjidhje’.

“Është i kuptueshëm reagimi publik gjatë 24 orëve të fundit lidhur me vendimin për mos lejimin e regjistrimit të studentëve të rinj në tri universitetet publike të vendit. Megjithatë, si PDK dhe qeveri mbesim të përkushtuar për të ndërmarrë sa më shpejt veprime të harmonizuara të të gjitha institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca”, ka shkruar Hoxhaj.

“Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës parasheh akreditim në dy nivele – institucional dhe të programeve, prandaj një vendim i ri para fillimit të vitit të ri akademik është i domosdoshëm. Po ashtu, është koha e duhur për të bërë edhe një rishikim të mirëfilltë të cilësisë, gjendjes në universitete dhe mbrojtjen e të drejtave të studentëve për tu shkolluar. Kemi nevojë për një mobilizim shoqëror për të përkrahur zhvillimin e universiteteve sepse mbyllja e tyre nuk është zgjidhje”, ka thënë më tutje zëvendëskryeministri njëherazi nënkryetari i PDK-së.

KALLXO.com kishte raportuar dje (15 korrik) ekskluzivisht për vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në të cilin, Universiteti publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Ky vendim kishte sjell reagime të shumta. Mes tyre, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj e kishte kundërshtuar.