Enver Hoxhaj në konferencë për media, Foto: KALLXO.com, 23.05.2019

Enver Hoxhaj mbron Kadri Veselin: PDK e dërgoi Rrahim Hashimin në Polici

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbrojtur shefin e partisë së tij, Kadri Veseli për rastin e fajdeve në të cilin përmendet emri i tij, me dyshimin se ka marrë 200 mijë euro.

Hoxhaj tha se Veseli nuk ka pasur të bëjë asgjë me njerëzit që kanë qenë pjesë e videos.

“Veseli s’ka pasur të bëjë asgjë me njerëzit që kanë qenë aty, as me temat që janë folur dhe me asnjë gjë që bie ndesh me ligjin”, tha Hoxhaj duke shtuar se PDK kërkon që rasti në fjalë të mos anashkalohet nga institucionet e drejtësisë.

“Rasti  në fjalë është shumë i rëndësishëm dhe kërkojmë që  të mos anashkalohet dhe të marrë epilog të plotë që të del e vërteta në shesh”, tha nënkryetari i PDK-së.

Hoxhaj theksoi se rasti në fjalë është bërë për qëllime të caktuara.

“Rasti është mbyllur pa përfunduar hetimet,  pa dhënë përgjegjësi askush. Natyrisht s’ka ndodh në mungesë të provave se ka shumë,  as të resurseve institucionale por duket se është penguar qëllimisht nga akterë të caktuar”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Hoxhaj tha se PDK më 2014 e ka denoncuar Rrahim Hashimin në Polici të Kosovës.

“Xhavit Haliti e ka bërë denoncimin në Polici dhe ka dhënë dëshmi në Prokurori të Kosovës”, shtoi ai.

“Ne si PDK kërkojmë që të merr epilog të plotë dhe të kemi një shpjegim të plotë për një ngjarje të tillë, por një lëndë që është parashkruar pse nuk ka mundur të mbyllet brenda organit të zbatimit të ligjit  por ka mbetur e ngecur e pa trajtuar deri në fund”, shtoi Hoxhaj.

Sipas, nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj videot e tilla nuk e ndalin Veselin e PDK-në.

“Tendenca rreth manipulimeve që dalin në opinion publik me qëllim që ta njollosin Veselin, me lejoni t’ju them që nuk ka asnjë motiv, asnjë qëllim që mund ta ndal PDK-në dhe Veselin për përkushtimin e zhvillimit të vendit. Kërkojmë nga policia dhe drejtësia ta japin fjalën e fundit”, tha Hoxhaj.

Në një xhirim të publikuar mbrëmë nga KTV, një person, Kadri Rexhepi, përmend emrin e Kadri Veselit, duke aluduar se ai ka marrë 200 mijë euro në një rast që ka të bëjë me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

E për këtë kryeparlamentari Kadri Veseli tha sot në një konferencë për media se ofron dorëheqje nëse del një indikacion i përfshirjes së tij në aferën e 200 mijë eurove.

https://kallxo.com/kadri-veseli-jap-doreheqje-nese-del-nje-indikacion-i-perfshirjes-sime-ne-aferen-e-200-mije-eurove/

.