Enver Hoxhaj insiston se autostrada 'Arbën Xhaferi' është meritë e PDK-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, po insiston se autostrada e kushtueshme ‘Arbën Xhaferi’ e cila pritet të përurohet nesër, është meritë e partisë së tij.

Hoxhaj i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër, përmes një postimi duke paralajmëruar përurimin e autostradës e ka quajtur ‘ide dhe vision i PDK-së’.

“Nesër do ta inaugurojmë autostradën “Arbën Xhaferi”, një ide dhe vision i PDK-së i projektuar më 2007, që po kompletohet tani. Kjo autostradë ka rëndësi strategjike sepse na afron me një vend fqinj që e kemi aleat dhe mbështetës, i afron popujt tanë dhe krijon mundësi zhvillimi dhe komunikimi edhe më intensiv”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për autostradën ‘Arbën Xhaferi’ e cila pritet të lidh Prishtinën me Shkupin.

Kontrata për ndërtimin e autostradës është nënshkruar në kohën e Qeverisë Thaçi II, përkatësisht me datën 1 korrik 2014. Gjatë realizimit të kësaj kontrate, kryeministër ka qenë Isa Mustafa (2015- 2017). Për të cilën gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumenti ishte kërkuar fillimisht nga ish-ministri Lutfi Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ministri aktual Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

KALLXO.com në një tekst ka përmbledhur punën pesë vjeçare të autostradës ‘Arbën Xhaferi’.

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?

www.kallxo.com