Gjykimi për "maicat" | Foto: KALLXO.com

Enver Hoxha Lirohet në Gjyqin për ‘Maica’

Enver Hoxha, projekt-menaxher i Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës, ose autoritetit zyrtar.

Në seancën e sotme të gjykimit kundër Hoxhës, ai u lirua, ngase Gjykata konstatoi se nuk është provuar se Hoxha e ka kryer veprën për të cilën akuzohej.

Zyrtari i KEK-ut ishte deklaruar i pafajshëm në mars të vitit që shkoi.

Pas shpalljes së aktgjykimit, avokati Naim Rudari tha se pala mbrojtëse qysh në fillim ka parë se nuk ka asnjë provë të vetme që dëshmon se Enver Hoxha ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

“Ne kemi pritur se Prokuroria do të veprojë sipas nenit 48 të KPPK-së ku ka obligim ligjor që ndaj të pandehurit të analizoje edhe faktet dhe rrethanat shfajësuese por Prokuroria nuk e bëri, edhe pse nuk kishte asnjë provë të vetme në fjalën përfundimtare kërkoi dënimin e të akuzuarit Enver Hoxha. Gjykata sot me vendimin e saj ka liruar nga aktakuza Enver Hoxhën me çka ka treguar se ka qenë e përkushtuar në gjykimin e drejtë dhe me këtë lloj vendimi gjykata krijon siguri juridike në vend”, tha avokati Rudari.

http://kallxo.com/enver-hoxha-insiston-se-eshte-pafajshem/

Prokuroria e akuzonte Enver Hoxhën se në pozitën e projekt-menaxherit të Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, më 19 qershor 2013, me qëllim të përfitimit për vete ose persona të tjerë, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar në atë mënyrë që ka lejuar blerjen e 2,464 maicave nga “ OE Ripten Enginnering” nga Prishtina.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Enver Hoxha nuk e ka përfillur procedurën e paraparë sipas Ligjit për Prokurimin Publik, duke vepruar në kundërshtim me kontratën 4710 16.07.2011 për llot -1 në të cilën është thirrur.

Vlera e dëmit që i ka shkaktuar i akuzuari KEK-ut, sipas aktakuzës, ishte 57 mijë euro.