Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Enver Hoxha Deklarohet i Pafajshëm në Gjyqin për ‘Maica’

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja, Enver Hoxha u deklarua i pafajshëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

I pandehuri, i cili ka emrin e mbiemrin e njëjtë me ish-udhëheqësin komunist të Shqipërisë, akuzohet se lejoi blerjen e 2,464 “maicave” nga një operator ekonomik.

Sipas aktakuzës, në pozitën e projekt-menaxherit të Divizionit për Prodhimin e Qymyrit në KEK, më 19 qershor 2013, me qëllim të përfitimit për vete ose persona të tjerë, Hoxha ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar në atë mënyrë që ka lejuar blerjen e 2,464 maicave nga “OE Ripten Enginnering” nga Prishtina.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Enver Hoxha nuk e ka përfillur procedurën e paraparë sipas Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë (duke vepruar në kundërshtim me kontratën 4710 16.07.2011 për llot -1 në të cilën është thirrur).

Vlera e dëmit që i ka shkaktuar i akuzuari KEK-ut sipas aktakuzës është 57 mijë euro.

Seanca e radhës do të mbahet pasi të paraqiten kundërshtimet ndaj aktakuzës.