Enver Hasanin e Shpëton Gjykata e Apelit

Sipas vendimit të Apelit, aktakuza ndaj të pandehurit në fjalë, e ngritur me 13.01.2016, nga ana e Prokurorisë Speciale, për veprat  penaletë keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar, është hedhur dhe ndaj tij është pushuar procedura penale.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të bazuara, ngase veprimet inkriminuese për te cilat ngarkohet i pandehuri, nuk përbëjnë vepër penale, për faktin se në to nuk përmbushet asnjeri nga elementet të veçantë të veprës penale për të cilat i pandehuri është akuzuar”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Në këtë rast, Enver Hasani akuzohet për falsifikim të një nënshkrimi të një anëtari ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për një vendim që kishte të bënte me vetë mandatin e anëtarëve të huaj të kësaj gjykate.

Imuniteti i Enver Hasanit si kryetar i Gjykatës Kushtetuese ka qenë temë polemikash në seancat gjyqësore në këtë rast.

Në një seancë në tetor mbrojtja dhe prokuroria dhanë vlerësime të ndryshme për imunitetin e Enver Hasanit gjatë gjykimit të tij.

Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit kishte kundërshtuar në seancë që prokuroria të vendosë rreth imunitetit të të mbrojturit të tij.

“Nuk është e drejtë e Prokurorisë Speciale të vendosë për imunitetin, pasi për të vendosë organi që e jep atë,” tha Tmava.

Por këtyre pretendimeve të avokatit iu përgjigj prokurori special Abdurrahim Islami.

“Prokuroria konsideron se kjo aktakuzë është ngritur me të drejtë, pasi që në këtë rast nuk ekziston imuniteti funksional e as ai diplomatik siç pretendon mbrojtja,” tha prokurori Islami.

Ai e konsideroi të ligjshme aktakuzën e ngritur.

“Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza janë marrë në harmoni me kodet në fuqi dhe janë të ligjshme dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë që do ta përjashtojë përgjegjësinë penale ndaj të pandehurit,” tha Islami.

Por Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit tha se Gjykata Kushtetuese vendosi drejt në rastin e vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të saj.

Ndaj Enver Hasanit është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor lidhur me një tender për përkthim librash gjatë kohë sa ai ishte rektor i Universitetit të Prishtinës.

http://kallxo.com/mendime-te-kunderta-per-imunitetin-e-enver-hasanit/