Enver Hasani Mohon të Jetë ‘Njeriu i Madh’

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kategorikisht ka mohuar çfarëdo lidhje me Zahir e Ardijan Bajramin  në gjykimin e të cilëve i dëmtuari Elsadat Musliu përmendi emrin e Enver Hasanit si një “njeri i madh” që do të ndikonte në lirimin e tij.

Zyrtari qeveritar Zahir Bajrami akuzohet se nëpërmjet djalit të tij Adrianit ia mori 10 mijë euro Elsadat Muslijit për ta liruar atë nga dënimi prej tre vjetësh burg për trafikim me emigrantë.

Elsadat Musliji, i dëmtuari i procesit ku zyrtari qeveritar Zahir Bajrami po akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa djali i tij Adriani për mashtrim, para dy ditësh tha në gjykatë se Bajrami ia kishte përmendur Enver Hasanin dhe Nait Hasanin si njerëz të mëdhenj edhe në emër të të cilëve i kërkonte paratë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Enver Hasani i apostrofuar në dëshminë e Muslijit mohoi çdo lidhje me të akuzuarit e këtij rasti.

“Me atë rast nuk kam lidhje aq sa ka Millosheviqi me mua ose ti. Nuk kam asnjë lloj lidhje me ata njerëz, nuk i njoh, nuk jam takuar asnjëherë me ta, nuk kam pirë kafe me ta, as nuk më kanë thirrë, as nuk i kam thirrë fare, fare, hiq dhe sot po çuditem me këtë rast”, tha Hasani.

Hasani mohoi se do të ndërmarrë ndonjë veprim ligjor ndaj atyre që përmendën emrin e tij, ndërsa tha se edhe po të ftohej nga prokuroria për të dhënë dëshminë e tij do t’i kishte fjalët e njëjta me ato që po i jep për KALLXO.com.

KALLXO.com dje raportoi nga seanca ku u përmenden emrat e Enver Hasanit dhe Nait Hasanit.

http://kallxo.com/enver-hasani-e-nait-hasani-permenden-ne-gjyqin-per-korrupsion/

KALLXO.com gjatë ditës përmes telefonit bëri përpjekje të kontaktojë edhe me ish-deputetin Nait Hasani por nuk morri përgjigje.