Enigma e Fatit në 'Dramën Njerëzore' Kosovare

Drama jetësore në një jetimore dhe fatet e njerëzve rreth saj, janë pjesë e një filmi të ri që do të vijë nesër në ekranin e kinemasë në Prishtinë.

Filmi që trajton fatin e paditur të vajzës së Hanës, e strehuar në një jetimore në Gjakovë, trajton kohën e luftës së Kosovës, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s.

Vajza e Hanës është në mesin e një liste të gjatë të personave që konsiderohen të zhdukur, ndërsa nëna e saj është vetëm njëra nga nënat që kalon net të gjata pa gjumë në kërkim të fatit të së bijës.

Këto dhe skena tjera kanë gjetur vend në në filmin “Engjëjt Janë Larg” të regjisorit shqiptar Gjergj Xhuvani dhe producentëve Fatmir Spahiu dhe Dritan Huqi.

Filmi do të vijë si premierë për audiencën kosovare nesër në Prishtinë.

Producenti i filmit Fatmir Spahiu tha se filmi zhvillohet gjatë luftës mirëpo shfaq anën humane të njerëzve.

“Tregimi është komplet kosovar edhe pse është prodhim shqiptaro-kosovar, nëse mundem ta quaj kështu me shtete. Është një dramë komplet njerëzore e krijuar prej Gjergj Xhuvani. Aktorët të cilët i kemi zgjedhur janë për mua aktorë kulmorë. Filmi trajton temë e luftës, është një jetimore gjatë luftës në qytetin e Gjakovës. Është drame paralele me rrëfim paralel me dy personazhe kryesore prifti dhe Hanën”, tha Spahiu për KALLXO.com.

Ai tha se nuk ka një arsye të veçantë pse ngjarja është vendosur në jetimore.

“Është thjeshtë një ngjarje që mund të jetë edhe e vërtetë. Nuk është e vërtetë natyrisht, është e shkruar mirëpo është pjesë autoriale e kreative e regjisorit dhe natyrisht ai ka arsyet e tij artistike”, tha Spahiu.

Rolin kryesor në film e luan Rinaldo Rocco (Prifti Mario), një aktor i njohur italian, dhe aktorja kosovare Teuta Krasniqi (Hana).

Fatmir Spahiu ka gjithashtu një rol, pastaj janë edhe aktorët nga Shqipëria si Ndriçim Xhepa, Nik Xhelilaj, dhe aktorët nga Kosova  Igballe Qena, Xhevat Qorraj, Shpëtim Kastrati…

Filmi është bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë, i realizuar nga BUKA Production dhe On Production, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kinematografike Kombëtare , Mantova Film Comision dhe Cineteka di Bolonia në Itali.