Eliot Engel - Kadri Veseli

Engel: Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar kongresmenin Eliot Engel me të cilin mes tjerash thuhet se u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA.

Sipas një komunikate për media të PDK-së thuhet së Engel potencoi se Serbia duhet ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Gjatë këtij takimi të ngrohtë e miqësor, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, për zhvillimet politike në vendin tonë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, mbështetjen amerikane në këtë proces dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kongresmeni tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.

Gjithashtu Engel tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese.

Veseli falënderoi kongresmenin Engel për angazhimin e tij të gjatë prej disa dekadash në mbështetje të Kosovës dhe nëpërmjet tij, shtetin dhe popullin amerikan dhe folën edhe për nismën e kryeparlamentarit kosovar për dënimin e gjenocidit dhe krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.

Engel tha se kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.