Eliot Engel në KQZ

Engel: Dalja në Zgjedhje Është e Rëndësishme

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, i cili po qëndron në Kosovë në monitorim të procesit zgjedhor, bëri thirrje për votuesit që të dalin të votojnë në komunat ku sot po mbahet gara e balotazhit për kryetarë të komunave.

“Dalja në zgjedhje është e rëndësishme dhe u bëj thirrje votuesve në Prishtinë dhe në tërë Kosovën ku mbahen zgjedhjet që të dalin të votojnë”, tha Engel gjatë një vizite që i bëri Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Ka më shumë se 30 vjet që luftoj për Kosovë të lirë… Ju përgëzoj për profesionalizmin, po i bëni një shërbim të madh vendit. Do të jem gjithmonë një mik Kosovës”, tha Engel.

Ai më herët vizitoi edhe rrjetin e OJQ-vë që po i monitorojnë zgjedhjet “Demokracia në Veprim”.

Gjatë vizitës në qendrën e rrjetit të organizatave “Demokracia në Veprim”, Engel kujtoi përpjekjen për organizim të zgjedhjeve të Kosovës në vitin 1996, kur tha se nuk u lejua të vizitojë këtë vend nga autoritetet e atëhershme serbe.

“Jemi përpjekur t’i organizojmë zgjedhjet në vitin 1996, mirëpo autoritetet serbe nuk më kanë lënë të hyj në Kosovë, por sot jemi në një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike dhe unë jam krenar që jam këtu me të gjithë miqtë e mi”, tha Engel.

Kongresisti më tutje deklaroi se ndihet krenar për partneritetin që Kosova ka krijuar me Amerikën.