Nga debati për energjinë në kuadër të DokuFest. Foto: Atdhe Mulla

Energjia e Ripërtëritshme, Energji e së Ardhmes

Paneli i parë i kësaj jave në kronologjinë e debateve për korrupsionin në kuadër të festivalit DokuFest, ishte ai për ‘energjinë e korruptuar’ i moderuar nga Haki Abazi (Rockefeller Brothers), me panelistë rajonalë, njohës të kësaj fushe

Panelistë nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina folën për një ndër sektorët më të rëndësishëm, por edhe më të korruptuar sipas tyre. Ata treguan përvojat e shteteve të tyre, linjitin si lëndën më të përdorur dhe ndotëse të ambientit dhe të mirat e energjisë së ripërtëritshme.

Abazi e nisi me lajmin e mirë të marrëveshjes së Parisit (e arritur në dhjetor të vitit 2015 në Konferencën Globale të Klimës në Paris pas dy javë negociatash, të nënshkruar nga thuajse të gjithë delegatët e 190 vendeve të botës), duke thënë se shtetet e Ballkanit janë pajtuar që të shkatërrojnë monopolet dhe të bëjnë energjinë e ripërtëritshme.

“Kjo ka përparuar në BE, por jo në Ballkan. Lajmi i mirë që janë pajtuar me këtë marrëveshje, por lajmi i keq është që liderët e Ballkanit nënshkruajnë gjithçka por kur vjen puna për ta implementuar nuk e bëjnë”, tha Abazi.

Panelistët Mirko Popoviq (Serbi), Rinora Gojani (Kosovë), Gjergj Erebara (Shqipëri) dhe Aida Bicakcic (Bosnjë dhe Hercegovinë) folën mbi argumentet që përdorin shtetet dhe qeveritë, si dhe përkrahësit ndërkombëtarë, për arsyetimin e përdorimit të linjitit, duke e arsyetuar këtë me rezervat e mëdha që kanë shtetet.

Popoviq tha se është e vërtetë se vendet e rajonit janë të pasura me burime thëngjillore por ai, sipas tij, është i kualitetit të dobët. Por shtoi se thëngjilli si burim kryesor nuk është strategji afatgjate.

“Energjia e bazuar në fosil nuk është e ardhmja e energjisë për dokumentin e Evropës 2030. Banka Botërore ka hequr dorë nga thëngjilli dhe duhet investuar vetëm kur është e domosdoshme”, tha Popoviq.

Ndërsa Gojani tha se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji të mirëfilltë për energjinë. Ajo tha se është më mirë që fondet për energjinë të përdoren në atë të ripërtëritshme se të investohet në termocentrale.

“Njerëzit tek ne jetojnë 5 vjet më pak se vendet tjera. Kosova ka varshmëri nga thëngjilli 97%. Duke parë se si vendet tjera po largohen nga thëngjilli, Kosova do të duhej të merrte shembuj. Me mirë do të ishte që këto fonde të përdoren në energjinë e ripërtëritshme.”

“Kosova shteti i 5-të më i madh i botës me rezerva të linjitit. Nuk e dimë a ësshtë e nemur a e mirë. BB e mbron qeverinë në këto politika. Kjo është e dëmshme për shëndetin dhe ambientin. Do të duhet që BB dhe qeveria të ndërrojnë strategjinë ose të përpilojnë strategji tjetër”, tha Rinora Gojani.

Por sipas saj nuk ka vullnet për të ndërruar këtë qasje.

Por ndryshe nga Kosova, Shqipëria nuk e ka problemin e thëngjillit, por të hidrocentraleve.

Erebara tha se janë të pakta shtetet në botë që kanë 100% prodhimin e rrymës nga uji.

“…kur jetoni në një botë të vogël duhet të keni 30% import që duhet të vijë nga vendet që kanë thëngjill si Kosova a Bosnja. Shqipëria ka deficit në prodhim të rrymës elektrike”, tha ai.

BB ka propozuar që të ndërtohet një termocentral bazuar në lëndë djegëse.

Termocentral ka përfunduar tash e pesë vjet por ai nuk është ende në funksion.

“Ne kemi borxhe 100 milionë për këtë termocentral që nuk ka prodhuar asgjë deri tash”, shtoi Erebara.

Ai dyshon se këtu mund të ketë korrupsion pasi “nuk ka sektor tjetër që ka kaq shumë përfitim sa energjia”.

Por Bicakcic tha së në Bosnje faji duhet kërkuar nga brenda.

“Do të doja shumë që të fajësoja dikë jashtë Bosnjës, por të gjitha problemet janë të koncentruara në qeverinë boshnjake”, tha ajo.

Bikarcic tha se Bonja ka rezerva të mëdha të linjitit, por ka edhe mundësi solare për prodhim të energjisë.

“Kemi të gjitha format. Por askush nuk mërzitet me efektet e linjitit. Investimi më i madh në Bosnje është nga Banka Kineze. Te ju Banka Botërore– te ne Banka Kineze.  Ata nuk janë transparent dhe kërkojnë përfitime”, tha Bikarcic.