foto MKRS

Endrit Shala: Qeveria i ka pranuar 12 kërkesa për investime strategjike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka njoftuar kolegët e tij ministra për kërkesat që i kanë ardhur Qeverisë së Kosovës për investime strategjike.

Ai ka bërë të ditur se që nga marsi i 2018, Ministria e Tregtisë i ka pranuar disa kërkesa, për të cilat është dashtë të hartohet një udhëzim i ri administrativ.

Ai ka njoftuar se deri në gjysmë të janarit të këtij vitit kanë aplikuar 12 subjekte.

“Nga marsi 2018 deri në fund të këtij viti, MTI ka pranu disa kërkesa duke qenë se kërkesat kanë qenë eksplicite dhe nuk ka harmonizim të ligjeve dhe ka lindur nevoja me bë një udhëzim të ri administrativ dhe është hartuar ky udhëzim që hyri në fuqi me 14 janar 2019. Deri më tani kanë aplikuar 12 subjekte të interesuara për të marr rolin e investimeve, 8 janë të sektorit të energjisë dhe 2 të turizmit”, tha Shala.

Shala ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të takohen me investitorët për të parë nëse janë të interesuar të vazhdojnë tutje.

“Të gjitha detyrat që kanë pasur obligim me i kry institucionet në qeveri janë përfunduar tani jemi në fazën ku ligji nuk përcakton afat kohor jemi në fazën e negociimit. Ende nuk kemi dhënë përgjigje finale nga agjencionet që nuk i përgjigjen qeverisë. Jemi në koordinim, ne po mendojmë në fund të kësaj jave të kemi takim me investitorin në fjalë dhe të shohim se investitori me këto përgjigje a është i interesuar a me vazhdu a jo”, shtoi Shala.