ARKIV Pamje nga Mitrovica e Veriut - Foto: REL/AFP

Ende nuk ka të arrestuar për gomat e shpuara dhe grafitet në vetura në veri të Mitrovicës

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti ka thënë se ende nuk ka të arrestuar për gomat e shpuara dhe grafitet në veturat e disa shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

“Kanë qenë dy raste të ndara grafite të shkruara në një veturë e cila i përket qendrës rajonale të veriut, e cila bartë barna për qendrën spitalore të veriut. Aty janë shkruar mbishkrimet në gjuhën shqipe, grafite si UQK dhe disa grafite tjera rreth e përqark automejtit me sprej”, ka thënë Besim Hoti për Kallxo.com.

Njëri rast ka ndodhur në lagjen e boshnjakve në veri të Mitrovicës, ndërsa në ditën e njëjtë në rrugën ‘Kolashini’ përtej zonës së ‘Tre Rrokaqiejve’ janë shpuar nga një gomë në pesë vetura të cilat kanë pasur targa të Kosovës.

Hoti ka deklaruar se koha kur ka ndodhur kjo nuk është e përcaktuar, por sipas tij kjo ka ndodhur prej pas mesnate deri në orët e para të mengjesit.

“Faktin se dikush në atë kohë ka qenë në shpetësi dhe e ka shpuar nga një gomë në secilën veturë, e kuptojmë, se kjo ka parqitur shqetësim për të gjithë pronarët e veturave, pasi nga një gomë për secilin është dëm material”, ka deklaruar Hoti.

Më tej zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës veriore ka thënë se sa i përket sigurisë së përgjithshme ka përparime të dukshme në aspektin pozitiv, nga levizja e lirë e deri tek siguria e përgjithshme për qytetarët.

Ai ka thënë se incidente të tilla të dëmtimit të pronave janë çështje të cilat nga aspekti i sigurisë nuk paraqesin ndonjë problematikë të madhe por paraqesin një ndjenjë të pasigurisë për vetë qytetarët.

“Sidoqoftë në kemi edhe një plan të zbatimit të veçantë të veprimit në zonat e banuara me popullatë të përzier – multietnike, e kemi prezencën e Policisë në të gjitha zonat me qëllim të parandalimit të këtyre veprave të mundshme edhe të këtij karakteri”, është shprehur Hoti për Kallxo.com.

Hoti ka theksuar se këto raste kanë ndodhur në datat 13 dhe 14 nëntor, në mesnatë.

Rasti është inciuar në Polici si vepër penale për demtimin e pronës me urdhër të prokurorit.

“Dhe sigurisht që hetuesit policor kanë nisur hetimet, kanë kërkuar edhe kamera të mundshme të sigurisë në atë zonë, sepse në këtë rast me gjasë bëhet fjalë për të njëjtin person që e ka kryer veprën penale sepse veturat kanë qenë një pas një të parkuara dhe secilës i është shpuar nga një gomë”, ka përfunduar Hoti.