Ende asnjë vendim se ku do ta vuajë dënimin Karaxhiqi

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë nuk ka vendosur ende se në cilin vend Radovan Karaxhiq do të vuajë dënimin e tij me burgim të përjetshëm pas dënimit të tij në mars për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

BIRN ka mësuar se gjykata e OKB-së për krimet e luftës nuk ka vendosur se ku do të dërgohet për të kryer dënimin e tij me burgim të përjetshëm ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq.

Ai do të qëndrojë në burg në një nga vendet që ka lidhur marrëveshje me Kombet e Bashkuara për zbatimin e dënimeve të dhëna nga gjykata me seli në Hagë dhe jo në ndonjë nga ish-shtetet e Jugosllavisë.

Të dënuarit e tjerë të Hagës aktualisht po vuajnë dënimet në Austri, Britani, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Itali, Norvegji, Poloni dhe Suedi.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare tha për BIRN se rregullat parashikojnë që një person i dënuar të transferohet për të vuajtur dënimin e tij/saj sa më shpejt që të jetë e mundur, por se nuk ka ndonjë afat kohor.

“Në përputhje me udhëzimet praktike përkatëse, presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare do të marrë në konsideratë një larmi informacionesh kur të vendosë, përfshirë të gjitha këndvështrimet përkatëse të shprehura nga personi i dënuar,” tha ajo në një përgjigje me shkrim për pyetjen e BIRN.

Avokati i Karaxhiqit, Peter Robinson, tha se mbrojta deri më tani nuk ka asnjë informacion se ku do ta vuajë dënimin e tij Karaxhiqi.

“Ne nuk kemi asnjë indikacion për ndonjë vendim se ku do ta vuajë dënimin e tij presidenti Karaxhiq. Ne kërkuam të informohemi se cilat shtete po shqyrtohen si mundësi dhe se do të kishim ndonjë kontribut në këtë proces, por Zyra e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare refuzoi,” tha Robinson për BIRN.

“Ata thanë pasi të kishin zgjedhur vendin dhe të kishin arritur një marrëveshje, do të na njoftojnë dhe do të kërkojnë komentet tona në atë kohë,” shtoi ai.

Karaxhiq, presidenti i kohës së luftës i Republikës Srpska me shumicë serbe në Bosnje, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Boshnjakëve nga Srebrenica, persekutim në të gjithë vendin gjatë kohës së luftës, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit, si edhe pengmarrje të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.