Emërohen edhe dy Zëvendësministra në Qeverinë Haradinaj

Kryeministri në largim, Ramsuh Haradinaj ka emëruar edhe dy zëvendës ministra në Qeverinë e tij.

Vendimin për t’i emëruar dy zëvendësministra, Haradinaj e kishte marrë vetëm 1 ditë para se ta njoftonte se do të jap dorëheqje.

KALLXO.com ka marrë vesh se Kadri Kastrati është emëruar më 18 korrik zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, ku ministër është Rrustem Berisha i AAK-së.

Përveç Kastratit, në po të njëjtën ditë, Haradinaj ka emëruar edhe një zëvendësministre tjetër. Myzejene Selmani është emëruar zëvendësministire në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në një bisedë të shkurtë për KALLXO.com, Kadri Kastrati nuk e ka mohuar emërimin e tij, por vetëm ka thënë se nuk ende asgjë zyrtare.

“Nuk kam ende asgjë zyrtare. Kur të kam diçka, iu njoftoj”, tha shkurtimisht Kastrati për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Myzejene Selmanin, por ajo s’ka qenë e qasshme në telefon.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me zyrën e Kryeministrit, por as ata nuk kanë qenë të qasshëm për përgjigje të menjëhershëm.]

Qeveria e Ramush Haradinajt ka qenë qeveria më e madhe pas Pavarësisë së Kosovës me 21 ministri dhe mbi 80 zëvendësministra.

Ramush Haradinaj, të premten, më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar.

Ai kishte deklaruar se në Hagë dëshiron të shkoj si Ramush Haradinaj, e jo si kryeministër.

Haradinaj i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Përveç Haradinajt, zgjedhjet i kanë kërkuar të gjitha partitë e tjera në Kosovë.