Emergjenca e Lipjanit bëhet me dy autoambulanca të reja

Shërbimi i Emergjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, është pajisur edhe me dy autoambulanca të reja.

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se përmes këtij investimi, do të ofrohen shërbime më të shpejta shëndetësore në rastet urgjente.

“Ndërsa, pacientët në hemodializë për transportin e të cilëve kujdeset QKMF, do të kenë një transport më të rehatshëm me autokombi të ri”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.

Kurse, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Vlora Limani-Hajnuni, ka thënë se do ta kenë prioritet sektorin shëndetësor në këtë komunë.

“Kryetari Ahmeti do të vazhdojë të ketë prioritet sektorin e shëndetësisë dhe se do të angazhohet vazhdimisht për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për të gjithë qytetarët”, citohet të ketë thënë ajo.