Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Ëmbëlsohet Prishtina

Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, sheshi “Zahir Pajaziti” do të jetë nikoqir i “Festivalit të Ëmbëlsirave”, i cili do mbahet nga data 4 deri më 11 korrik.

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë të ditur që ky festival po mbahet me qëllim të mbështetjes së bizneseve të vogla.

“Festivali i ëmbëlsirave, ideuar dhe organizuar nga Komuna e Prishtinës, ka për synim mbështetjen e bizneseve të vogla me ide kreative. Këto të fundit do të kenë rastin të bëjnë shitjen e produkteve ushqimore (ëmbëlsirave dhe pijeve freskuese), në periudhë prej 7 ditë në 12 shtëpiza të drurit të cilat do të vendosen në sheshin “Zahir Pajaziti,” thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna në njoftim tregon edhe orarin e shitjes së ëmbëlsirave gjatë festivalit.

“Gjatë këtyre 7 ditëve bizneset e përzgjedhura për shtëpiza lejohen të punojnë çdo ditë, nga e hëna në të dielën duke filluar pres orës 09:00 deri në orën 23:00. Asnjë shitje nuk do të lejohet para orës 09:00 si dhe prej orës 23:00,” precizon njoftimi.