Fotografia ku shihen Reçica dhe Shkreta gjatë kohës sa ishin të dytë në PDK.

Elmi Reçica Tregon Afërsinë e Dikurshme me Shkretën e Vetëvendosjes

Deputeti Elmi Reçica reagoi pas akuzave të bëra dje nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Mirsad Shkreta.

Në një konferencën për shtyp të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mirsad Shkreta tregoi një fotografi ku shihet drejtori i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj së bashku me deputetin nga PDK, Elmi Reçica.

Sipas tij, në këtë takim Rashit Qalaj mori direktiva se si të veprojë kundër opozitës.

“Sigurisht merr direktiva se si pastaj të shtypë dhe të propagandojë kundër opozitës dhe kundër veprimeve… kjo strukturë shkon përtej këtij takimi e cila kupolën në fakt e ka në atë që tashmë është instaluar në Kuvend, si kryetar i Kuvendit, zotëriu Kadri Veseli,” tha Shkreta.

shkreta
Mirsad Shkreta i VV-së tregon fotografinë ku shihet deputeti i PDK-së me zyrtarin e Policisë.

Reçica në reagimin e tij dërguar për KALLXO.com tha ky është manipulim i opinionit nga “Vetëvendosje”.

“Si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe njeri që është në kontakt të përhershëm më qytetarët takohem me qindra njerëz gjatë javës,” tha Reçica.

Elmi Reçica për ta dëshmuar se takohet me shumë njerëz, dërgoi një fotografi ku shihet së bashku me ish-këshilltarin e PDK-së në Han të Elezit Mirsad Shkreta që në mars të vitit 2014 iu bashkua asamblistëve të VV-së në këtë komunë.

Fotografia ku shihen Reçica dhe Shkreta gjatë kohës sa ishin të dytë në PDK.
Fotografia ku shihen Reçica dhe Shkreta gjatë kohës sa ishin të dytë në PDK.

“Po ua dërgoj foton time së bashku me Mirsad Shkretën, e cila tregon afërsinë time me z. Shkreta, sikurse me Z. Qalaj,” shtoi Reçica.

Fotografia duket të jetë bërë gjatë një tubimi parazgjedhor diku në rajonin e Ferizajt. Reçica është nga Ferizaj ndërsa Shkreta nga Hani i Elezit. Ky i fundit ishte larguar nga PDK në mars të 2014-ës, ndërsa u bë i njohur pasi ishte i vetmi delegat i kësaj partie që votoi kundër kandidatit për kryetar të PDK-së Hashim Thaçit npas Kuvendit të fundit zgjedhor duke qenë i vetmi delegat i partisë që kishte votuar kundër rizgjedhjes së Hashim Thaçit në KOnventën VI të PDK-së të mbajtur më 26 e 27 janar 2013.

Njeriu Që i dha Karton të Kuq Liderit të PDK-së

I kontaktuar nga KALLXO.com, asamblisti i “Vetëvendosjes” në Han të Elezit Mirsad Shkreta nuk i mohoi takimet e mëhershme mes tjerash edhe me Reçicën.

Shkreta tha se duke qenë këshilltar i PDK-së gjatë aktiviteteve partiake është takuar edhe me Elmi Reçicën, por edhe me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Megjithatë, tha se takimet e tij me zyrtarët e lartë të partisë dallojnë nga ato që politikanët po i bëjnë me policinë.

“Kjo dallon nga takimet që klasa politike i bën me institucionet që duhet të jenë të pavarura,” tha Shkreta.

Shkreta në konferencën e djeshme akuzoi pjesëtarë të policisë për përfshirje në krim të organizuar.

“Jo policia e Kosovës, por segmente të caktuara, e kryesisht drejtuesit e Policisë së Kosovës janë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe janë pjesëmarrës në krim dhe në korrupsion,” tha Shkreta.

Sipas Shkretës Policia po përdoret edhe si mjet propagandues si në rastin e protestës së fundit ku zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka raportuar se ishin 8 mijë protestues.

“Shifra e tillë është trajtuar si qesharake dhe nuk është pranuar as nga LDK-ja e PDK-ja,”  tha Shkreta në konferencën e djeshme.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje rreth këtyre akuzave për KALLXO.com.

Protesta e mbajtur me 9 janar nga opozita është bërë  kundër marrëveshjes së asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.