Elmi Reçica Reagon Ndaj Fotografisë me Lumezin dhe Ibrahimin

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka reaguar ndaj një fotografie të shpërndarë ditë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje në të cilën ai shihej duke biseduar me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe me Kryeinspektorin e Punës, Basri Ibrahimi.

Kur e mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit, Reçica kërkoi llogari nga Vetëvendosje për fotografinë e publikuar.

“Dua të kërkoj nga Lëvizja Vetëvendosje në veprimet e tyre aktuale a mos është duke tentu ta instalojë logjikën e UDB-së se kush me kë rrin…. Me çfarë autorizimi Vetëvendosje bën fotografime të fshehta, a qëndron dikush pas jush a keni ndonjë shërrbim të fshehtë”, pyeti Reçica.

Por ai nuk mori përgjigje pasi që kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti nuk lejoi debat në pyetjet e parashtruara nga Elmi Reçica.

Ndaj kësaj fotografie, ditë më parë ka reaguar edhe Prokuroria e Shtetit duke thënë se fotografia e postuar “më tepër ka për qëllim shantazhimin dhe dezinformimin sesa që pasqyron një realitet sipas perceptimit të atyre që e kanë postuar”.

Kur e ka publikuar fotografinë, Vetëvendosje ka thënë se “se nuk mund të ketë kështu luftim të krimit e korrupsionit, por vetëm zgjerim të rrethit të bashkëpunëtorëve në krim e korrupsion”.