Elmi Reçica Dyshon në Gjykatën e Arbitrazhit

Një varg dënimesh nga kjo gjykatë dhe disa tjera që mund të pasojnë, pritet ta ngarkojnë buxhetin e shtetit.

Duke filluar nga skandali i pasaportave, rasti i “Z Mobile” e deri te çështja e AXOS që ëhstë në procedurë, buxheti pritet të dëmtohet për qindra miliona euro nga gjobat që vijnë për shkak të pakujdesisë së trajtimit të kontratave nga kompanitë publike dhe institucionet e Kosovës.

“Çështja e pasaportave, çështja e këtyre ndëshkimeve në arbitrazh është çështje që na ka dëmtuar dhe na ka dëmtuar në kohën kur vërtetë kem nevojë shumë që të kemi një buxhet të shtuar e të rritur, për shkak të proceseve dhe projekteve që i ka Qeveria dhe qytetarët çfarë presin. Sa i përket AXOS-it, ne në Kuvend e kemi refuzuar atë çështje sepse e kemi parë që është çështje e diskutueshme dhe pjesa tjetër, ne nuk e kemi pasur parasysh, po them si institucione dhe si shtet që ta rregullojmë në aspektin ndërkombëtar juridik, secilën marrëveshje apo secilën kontratë, por edhe mundësinë e realizimit të një kontrate të tillë dhe kjo normal që është një e metë e jona”, tha Reçica për KALLXO.com.

Por ai ka shfaqur fije dyshimi edhe mbi objektivitetin e gjykatës.

“Gjykatat e Arbitrazhit janë gjykata që ndoshta në raste të rralla edhe në njëfarë mënyrë shihet edhe drejtësia. Kush e ka aksesin, kush e ka ndikimin, fuqinë, është më ndikuese aty. Ne nuk kemi qenë shumë aktiv në këtë çështje dhe sigurisht që është e metë e jona”, ka thënë Reçica për Emisionin Jeta në Kosovë.

Muaj më parë Gjykata e Arbitrazhit e kishte dënuar Kosovën me 4.5 milion euro për çështjen e pasaportave. Në fund të vitit të kaluar, Telekomi i Kosovës është dënuar me 30 milionë euro, ndërsa qeveria është në arbitrazh edhe në lidhje me privatizimin e PTK-së, padi e ngritur nga kompania “Axos”. Nëse Qeveria e Kosovës e humb këtë rast, rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.