Foto: Kallxo.com

Eliza Hoxha rrëfen në 'Kultwoman' rrugëtimin e saj artistik

Krijuesja Eliza Hoxha ka rrëfyer sot rrugëtimin e suksesit të saj në shumë fusha të artit, që nga fundi i viteve ’80 të shekullit të kaluar e deri më sot.

Rrëfimin e saj, krijuesja Hoxha e prezantoi në kuadër të debatit “KultWomen me …”  që u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së.

Debati organizohet nga “Kultplus” dhe si qëllim ka të sjellë në vëmendje gratë të cilat ndër vite i kanë dhuruar shumë artit dhe kulturës në vend.

Gjatë rrëfimit të saj, para audiencës, Hoxha ka thënë se nuk ka ngurruar të sfidojë veten në fusha të ndryshme të artit qysh si fëmijë, pavarësisht pengesave, refuzimeve, neglizhimit apo vlerësimet nga më të ndryshme që mund të ketë marrë nga të tjerët.

E njohur më shumë si këngëtare e më pak si arkitekte, Eliza Hoxha ka nisur karrierën artistike në muzikë. Qysh si fëmijë në moshën 5 vjeçare ajo është prezantuar para publikut kosovar.

Por, edhe pse nuk studioi muzikë, ajo herë pas herë iu kthye kësaj fushe duke treguar zotësinë e saj në këtë fushë, duke lënë edhe krijime të vlerësuara nga kritika.

“Asnjëherë nuk kam shkuar për t’u përgatitur në aspektin e muzikës. Jam regjistruar por e kam lënë. Për të vazhduar me gjimnazin dhe më pas për të studiuar arkitekturën”, ka treguar Hoxha, duke thënë se ka prekur edhe gjini tjera të artit, si balet, fotografinë, arkitekturën.

Edhe Hoxha i takon asaj gjenerata të gjimnazistëve që u detyruan të vazhdojnë shkollimin në shtëpi- shkolla, pas masave diskriminuese të instaluara nga pushteti i atëhershme serb. Periudhë kjo që siç ka thënë ajo vetë gjatë rrëfimit të saj nuk ka kaluar pa lënë gjurmë në formësimin dhe krijimtarinë e saj.

Sukses arriti edhe në fushën e arteve pamore, arkitekturë, dukë mos lënë anash edhe problemet socio-kulturore me të cilat përballet sot shoqëria kosovare.

Eliza Hoxha karrierë bëri edhe në fushën e fotografisë, ku shumë prej fotove të saj janë publikuar në  mediet të asaj kohë, sidomos në “Zërin” foto, me të cilat pas lufte hapi edhe disa ekspozita të cilat ilustronin zhvillimet e viteve të rezistencës.

“Përmes fotografisë unë e kam njohur Kosovën e asaj kohe që ka ndikuar që unë të jem kjo që jam sot, jo vetëm si krijues”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka folur edhe përvojat e saj në muzikë, albumin e saj të parë dhe ato që kanë mbetur të papublikuara, librin e saj për Prishtinën, për festivale të TVSH-së, apo pjesëmarrjet në ekspozita, Venedik apo Beograd.

Ndërsa ka lënë të kuptohet se ka shumëçka të vërtetë sa i përket thashethemeve që bëhet rreth kurdisjeve të fituesve të festivalit të TVSH-së.

Hoxha ka folur edhe për problemet të infrastrukturën kulturore, duke pohuar se ideja për të rrënuar ndërtesën e ish-Gërmisë është e pavend dhe institucionet duket të jenë më serioze sa i përket këtij problemi.

Ajo ka thënë se artistë kanë bërë punë të mirë për të këtë dhe duhet të vazhdojnë të kenë një dakordancë sa i përket të ardhmes së tij.

“Mendoj se kryeqytetit i duhet një sallë e dinjitetshme,  sepse kur vijnë akterët si Ramë Lahaj, apo të tjerë, me pasë mundësi për një audiencë më të madhe. Mundësitë ekzistojnë”, ka thënë ajo ndër të tjerash duke shtuar se me pak investim ish-objekti i Gërmisë do të mund të shndërrohet një objekt i cili do të kishte sallë për muzikë apo arte pamore.

Në fund të rrëfimit të saj Hoxha ka marrë vlerësime nga të pranishmit sipas të cilëve rrugëtimi i artistik i Eliza Hoxhës flet mjaft për bagazhin dhe kontributin e saj në shumë fusha të artit në vend.

“KultWoman me…” është projekt i realizuar prej “KultPlus”, i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’.