Elida Bejtullahu në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Elida Bejtullahu: Kam Pasur Presion nga i Dëmtuari

Ushtruesja e detyrës së drejtores së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë, Elida Bejtullahu që akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare, dha mbrojtjen e saj para trupit gjykues.

Ajo akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit, lidhur me refuzimin që Bejtullahu i kishte bërë lejes së ndërtimit të një objekti banesor në pronën e Hasan Berishës.

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes Elida Bejtullahu e mohoi veprën penale për të cilën akuzohet duke theksuar faktin që të gjitha veprimet që i kishte marrë kanë qenë në pajtueshmëri me ligjin.

Bejtullahu tha se kishte presion që t’i jepte leje objektit të Berishës.

“E kam pengu një skenar që për mu asht i përgatitun edhe për të cilin kam pas permanent presion psikologjik prej juristit gjatë orarit të punës, por edhe pas orarit të punës nga pala e cila e konsideron veten e damtume”, tha Bejtullahu.

Bejtullahu më tutje rrëfeu momente kur pala e dëmtuar e kishte shqetësuar me telefonata private në viber.

“Permanent më ka shkru në viber prej fjalëve ma të ulta, e ka tejkalu kompetencën si qenie njerëzore, qak edhe natën e Vitit të Ri i jep vetit liri mem thirrë edhe në thojza me ma uru Vitin e Ri,” tha Bejtullahu.

Hasan Berisha, para ngritjes së aktakuzës ndaj Bejtullahut kur kishte folur për KALLXO.com, e kishte akuzuar atë se nuk po i jep lejen e ndërtimit, ngase ai ishte denoncues i korrupsionit.

http://kallxo.com/denoncuesit-te-korrupsionit-refuzohet-ndertimi/

Gjatë dhënies së mbrojtjes Bejtullahu tha se Drejtoria e Urbanizmit ka konsideruar që nuk ka kushte për t’ia dhënë lejen e ndërtimit Berishës.

Fjalën përfundimtare palët do ta paraqesin më 8 maj .