Ekstremizmi i Dhunshëm Sonte në ‘Jeta në Kosovë’

Në emisionin “Jeta në Kosovë” sonte do të diskutohet për ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë.

Dy imamë kosovarë, një sociolog, një ekspert i sigurisë dhe një gazetar do të flasin për atë se si shihen sulmet që ndodhën në Bruksel këtë javë dhe sulmet tjera terroriste që  kanë ndodhur në Paris, Ankara e Stamboll.

A po përballet Evropa me një ekstremizëm të dhunshëm? Çka mund të bëhet që feja të mos përdoret si pretekst për të vrarë njerëz? Si duhet të edukohen gjeneratat e reja për të mos kaluar në ekstremizëm të dhunshëm?

Çka duhet të bëjë shoqëria kosovare e çka shteti me njerëzit që kthehen nga lufta në Siri dhe si duhet parandaluar të tjerët që t’u bashkëngjiten luftërave të huaja?

Për të diskutuar për këto tema Jeta Xharra ka ftuar:

Ekrem Avdiu, imam në Mitrovicë,

Bahri Sejdiun, imam (në Xhaminë e Madhe) në Prishtinë,

Ardian Gola, sociolog e ligjërues në Universitetin “Hasan Prishtina”,

Mentor Vrajolli, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe

Ervin Qafmolla, hulumtues i BIRN-it (Zyra në Kosovë)

Po ashtu “Jeta në Kosovë”  sonte sjellë reportazhin nga ceremonia  në Teqenë e Madhe në Gjakovë dhe atë në Prizren për të përjetuar ceremoninë e fillimit të pranverës që e festojnë bektashinjtë, dervishët e sektet e tjera.

“Jeta në Kosovë” transmetohet në RTK në orën 20:20 dhe repriza të nesërmen në mesditë.