Ekspozita ‘Rrugëtim’ hapet nesër në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës

Ekspozita personale “Rrugëtim” e skulptores pejane, Arjeta Miftari hapet nesër në ora 18:00 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Pjesë e kësaj ekspozite do të jenë 10 skulptura të hyjneshave të punuar në materiale të rezinës dhe drurit, 40 fotografi që pasqyrojnë procesin e punës së artistes, një dokumentar dhe 10 fotografi të hyjneshave të punuar në pëlhurë.

Skulptorja Miftari ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se skulpturat që do të ekspozohen nesër në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë janë përkushtim ndaj feminizmit dhe gruas shtatëzanë.

“Por, duke mos lënë anash as motivet tradicionale që i kam realizuara nëpër  skulptura”, ka thënë skulptorja Miftari.

Ekspozita “Rrugëtim” në Muzeun Historik Kombëtar vjen si vazhdimësi e rrugëtimit të hyjneshave të Miftarit nisur disa muaj më parë në Prishtinë për të vazhduar pastaj në Berlin dhe më pas Paris.