Biblioteka Kombëtare. Foto: Kallxo.com

Ekspozita ‘Hyjnesha në Fron’ hapet nesër në Bibliotekën Kombëtare

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis” në kuadër të projektit “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve”, hap nesër, në ora 18:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” ekspozitën “Hyjnesha në Fron”.

“Artpolis” përmes një komunikate për media njofton se kjo ekspozitë vjen si rezultat i punëtorisë së të rinjve nga komuna e Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës Veriore, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, nën mentorimin e skulptores Arjeta Miftari.

Qëllimi i projektit është promovimi i rolit të gruas në shoqëri në ruajtjen e trashëgimisë së paprekshme kulturore përmes artit dhe instalacioneve artistike, për një shoqëri diverse.

Projekti “Promovimi i diversitetit kulturor dhe mirëkuptimi përmes artit dhe përfshirjes së të rinjve” është pjesë e grantit të financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga UNDP në Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri me datë 13 Qershor 2019.