Rita Augestad Knudsen

Ekspertja norvegjeze kundër terrorizmit mban ligjëratë në Kosovë

“Kundër-terrorizmi në Praktikë: Rreziku, Treguesit dhe Shëndetit Mendor”, ishte tema e ligjëratës së sotme nga Rita Augestad Knudsen, e cila u mbajt në RIT Kosova.

Hulumtuesja e Lartë në Institutin Norvegjez të Punëve të Jashtme (NUPI), Rita Augestad Knudsen, e cila merret veçanërisht me luftën kundër terrorizmit, gjatë një ligjërate në Prishtinë, ka folur për dy fusha kundër-terrorizmit të cilat, sipas saj, kohët e fundit kanë marrë vëmendje në Evropë.

Augestad Knudsen ka prezantuar vlerësimet individuale të rrezikut për matjen e ekstremizmit dhe për faktin se si profesionistët e shëndetit mendor po përfshihen në luftën kundër terrorizmit.

“Disa nga treguesit se si ekstremizmi rrezikon orientimin janë nevoja për zgjidhjen e padrejtësive dhe shprehja e ankesave, nevoja për mbrojtje kundër kërcënimit, nevoja për identifikim, për t’u kuptuar e për të qenë pjesë e  diçkaje, nevoja për një status në shoqëri”, tha ajo.

Duke marrë shembuj nga lufta kundër terrorizmit në Britani të Madhe, Augestad Knudsen shtoi se shumica e personave që janë përfshirë në akte terroriste, kanë pasur të kaluar të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht kanë qenë të rrethuar me dhunë.

“Në një botë digjitale me shpërndarje të shumë informacioneve, është e vështirë ruajtja nga ndikimi i ideologjive të ndryshme radikaliste. Norvegjia për shembull është shteti më i digjitalizuar në Evropë. Fokusi im është për kundër-terrorizimin”, shtoi ajo.

Rita Augestad Knudsen, vitin e kaluar e kishte publikuar raportin “Radikalizimi dhe luftëtarët e huaj në kontekstin e Kosovës”, që kishte të bënte me pjesëmarrjen e kosovarëve në luftrat në Irak dhe Siri.

Në këtë raport, kritikohet trajtimi mediatik i radikalizimit ne Kosovë dhe pohohet se çështja është zmadhuar në shtypin botëror.

Sipas autores, shumica e pjesëmarrësve nga Kosova në këto luftëra ishin adoleshentë dhe se motivet kryesisht ishin për arsye ekonomike.

Mediet e Huaja e ‘Zmadhuan dhe Thjeshtësuan’ Problemin e Radikalizimit Fetar