Eksperti i balistikës përshkruan plumbat që vranë dy vëllezërit në Malishevë

Dhjetë gëzhoja që ishin shkaktar të vdekjes së dy vëllezërve në Malishevë u ekzaminuan hollësishëm nga një ekspert në gykatë.

Në gjykimin e të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku për vrasjen e dyfishtë në fshatin Plloqicë të Malishevës sërish u dëgjua eksperti i balistikës.

Dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku kishin mbetur të vrarë më 9 mars 2018 ndërsa të akuzuar lidhur me këtë vrasje janë Besim dhe Blerim Maloku, po ashtu vëllezër, nga i njëjti fshat

Eksperti i balistikës Ilir Kukaj, sot pranë Gjykatës së Gjakovës i shikoi gëzhojat një nga një.

Nëntë gëzhojat u sollën nga eksperti i cili ka bërë shikimin e tyre dhe një gëzhojë u soll nga Prokuroria.

Kukaj tha se nëntë gëzhojat janë relativisht të pastra e me pak ndryshk, por njëra prej tyre kishte më tepër dryshk brenda.

“Prej nëntë gëzhojave, shtatë gëzhoja ishin të të njëjtit material, ndërsa dy gëzhojat tjera ishin metalike”

Ndërsa për gëzhojën e dhjetë të evidentuar si dëshmi nga Prokuroria, eksperti balistik tha se duket e njëjtë me shtatë gëzhojat tjera.

Eksperti balistik tha se nuk mund as ta pohojë e as ta mohojë nëse gëzhoja e dhjetë është shkrepur në të njëjtën ditë nga pushka e ekspertuar nga ata.

Pas dëshmisë së ekspertit, avokati i palës së dëmtuar Naim Rudari kërkoi nga gjykata që të bëhet fotografimi i brendshëm i gëzhojave dhe të përshkruhen nga ana e ekspertit.

Në këtë gjykim, Prokuroria po e akuzon Besim Malokun për dy vepra – vrasje e rëndë dhe mbajtje të armës pa leje- ndërsa Blerim Malokun vetëm për armëmbajtje pa leje.

Edhe ditën e hënë eksperti i balistikës Ilir Kukaj, kishte dhënë dëshminë e tij.

https://kallxo.com/arma-qe-vrau-vellezerit-ne-malisheve-ende-e-paidentifikuar/

Pas Kukajt, sot ka dëshmuar për herë të dytë pas një muaji, dëshmitari Ismet Maloku.

Ismet Maloku, tregoi se Policia e kishte marrë armën e Besimit.

“Jo, unë nuk e kam ditur që Besimi ka armë në shtëpi, por unë e kam njoftuar policinë se në shtëpinë e Besimit ka armë”- tha ai.

“Unë jam njoftuar nga avokati i Besimit se ka armë në shtëpi, e më kanë thënë lajmëro”- deklaroj Ismet Maloku.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj reagoj duke i thënë trupit gjykues që mos të humbin kohë me dëshmitarin Ismet sepse është irelevante e nuk është dëshmitar okular.

“E vërteta është se nuk kam lajmëruar askënd por kam pritur disa muaj derisa ka ardhur policia për kontrollim të bunarëve dhe atëherë një polic që nuk e njoh, na ka thënë që është një pushkë dhe duhet me e dorëzu” -tha ai.

Ai tha se gruaja e Besimit i kishte thënë që kishin një armë në divan, por që nuk ishte në dijeni për asgjë rreth saj.

“Unë kam shkuar bashkë me policinë në shtëpinë e Besimit për ta marrë armën”- tha ai.

“Ditën e parë të bastisjes më ka ftuar policia si dëshmitar, mirëpo kur kam mbërri unë në Plloqicë ata veç kishin kontrolluar shtëpitë e të akuzuarve”- deklaroj dëshmitari Ismet.

Ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari kishte vërejtje në dëshminë e dëshmitarit Ismet, sepse deklaratat e tij ishin kundërthënëse dhe të paqarta.

Kallxo.com kishte raportuar edhe gjatë muajit prill, ditën kur kishte dëshmuar dëshmitari Ismet Maloku.

https://kallxo.com/rrefimet-e-deshmitareve-per-vrasjen-e-pjesetarit-te-fsk-se-dhe-vellait-te-tij-ne-plloqice-te-malisheves/

 

Dëshmitari tjetër Cen Maloku tha se me kushëriun e tij Ismet Malokun nuk kishte biseduar asnjëherë në lidhje me rastin e ndodhur.

“Me Valdan Malokun kemi biseduar në përgjithsi gjatë ditëve të pamjes, ndërsa me Ismetin as në pamje e as pas pamjes së të ndjerëve”.

Ndërkaq trupi gjykues i përbërë nga kryeyari Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Besarta Doli dhe Ilir Rashkaj, caktuan datën 2 dhe 3 për vazhdimin e gjykimit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Nga Prokuroria po akuzohen se kanë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin Dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

https://kallxo.com/vrasja-e-pjesetarit-te-fsk-se-i-akuzuari-per-armembajtje-pranon-fajesine/

 

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besim gjendet në paraburgim prej 9Mars 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin Nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

https://kallxo.com/njeri-nga-te-vraret-ne-malisheve-pjesetar-fsk-se/

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani, raporton KALLXO.com.

Këto vepra sipas prokurorisë janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë, raporton KALLXO.com.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e  autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/

Gjykim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje
Gëzim Pozhegu, Besarta Doli, Ilir Rashkaj, Ramiz Buzhala, Besim dhe Blerim Maloku, Ndrec Dodaj dhe Feride Xani, Afërdita Maloku, Fatmire Gashi dhe Besnike Maloku, Ilir Kukaj, Ismet Maloku, Cen Maloku