Gjykimi i ish- drejtorit të Prokurimit të MAShT, Xhemajl Buzuku - Foto: KALLXO.com

Eksperti Financiar: MAShT Nuk Shkoi Kundër Rregullave të Prokurimit Publik

Në gjykimin e ish- drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhemajl Buzuku, i cili po akuzohet lidhur me një kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”, ku i akuzuar është edhe drejtori i kësaj të fundit, Afrim Demiri, dëshmoi eksperti financiar, Xhevdet Krasniqi.

Buzuku e Demiri po akuzohen për projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MAShT”, projekt ky për të cilin MAShT, në këtë rast autoriteti kontraktues, kontraktoi operatorin ekonomik “Alb Architect”.

Eksperti financiar, Xhevdet Krasniqi, në ekspertizën e tij të urdhëruar nga Gjykata, ka konstatuar që procedurat e autoritetit kontraktues, MAShT, kanë qenë në përputhshmëri të plotë me rregullat e Ligjit të prokurimit publik, si dhe rregulloret përkatëse.

Në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, eksperti sqaroi se si ka ardhë deri te ky konstatim.

“Ekzaminimi i shkresave të lëndës më ka mundësuar të vijë te konstatimi që procedurat e autoritetit kontraktues MAShT kanë qenë në përputhshmëri të plotë me rregullat e Ligjit të prokurimit dhe rregulloret. Të njëjtën gjë e ka vërtetuar edhe OShP, ku në bazë të ankimimit të një operatorit ekonomik, i cili ka qenë i përgjithshëm dhe eksperti shqyrtues pranë këtij organi ka vërtetuar se janë respektuar në tërësi dispozitat e Ligjit të prokurimit publik dhe është urdhëruar që autoreti kontraktues (MAShT) të vazhdojë me procedurat e prokurimit dhe nëse nuk vazhdohet mund të thirren në përgjegjësi personat kompetentë të autoritetit kontraktues”, tha Krasniqi.

Avokatët mbrojtës, Florent Latifaj dhe Ramë Dreshaj, nuk patën vërejtje në ekspertizën e ekspertit Krasniqi.

Në fund të seancës, palët deklaruan se nuk kanë propozim për plotësimin e procedurës së provave, me ç‘ rast edhe caktuan seancën e radhës ku të akuzuarit do të japin mbrojtjen.

Xhemajl Buzuku në cilësinë e drejtorit të Prokurimit në MAShT, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit për vete, apo për të tjerët më 15 maj 2009 ka lidhur kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect” për projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MAShT”.

Pjesë e aktakuzës është edhe Afrim Demiri, drejtor i kompanisë “Alb-Architect”.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë në aktakuzë,  këto kontrata janë përdorur me qëllim të shfrytëzimit si dokumente origjinale në ofertën e tij dhe me këto kontrata të rreme ka arritur që t’i vërë në lajthim Komisionin e Vlerësimit të këtij tenderi që t’i vlerësojnë si të vërteta dhe të fitojë kontratën, sepse të njëjtat janë kërkuar si kriter në dosjen e tenderit nga autoriteti kontraktues.

Sipas aktakuzës, Demiri me këto veprime ka kryer veprën penale-mashtrim.

Sipas aktakuzës, Afrim Demiri në ditën e pacaktuar në vitin 2009 në Prishtinë në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Alb-Architect” në ofertën që e ka paraqitur MAShT-i për tenderin e mbikëqyrjes profesionale të objekteve të ndërtuara, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ka përpiluar kontrata të rreme për 30 persona, gjoja se këta ekspertë, inxhinierë të diplomuar kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit.

Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe Ramë Buja si dhe ish-sekretari i MAShT-it, Xhavit Dakaj, për të cilët Gjykata Themelore në Prishtinë pranoi kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës ndaj tyre.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë Ministri, akuzoheshin se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Sipas aktakuzës, kjo është bërë pa një procedurë të re dhe me nënshkrimin e tyre kanë shkelur detyrimet që i kanë pasur në bazë të Ligjit të prokurimit publik.

http://kallxo.com/hidhet-poshte-aktakuza-ndaj-rame-bujes/

KALLXO.com shkroi për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj Ramë Bujës.

Ky rast gjyqësor është një prej të rasteve të shënjestruar për liberalizimin e vizave.