Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka"

Ekspertët ndërkombëtarë rekomanduan mosakreditimin e Universitetit të Pejës

Ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), kanë rekomanduar që Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, të mos akreditohet.

Ky rekomandim ka ardhur pas vlerësimit të ekspertëve Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, sipas të cilave, ky Universitet ka parregullsi të shumta, veçanërisht në sistemin udhëheqës dhe menaxherial.

Raporti ende nuk është miratuar dhe votuar nga Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), mirëpo në rast miratimi, Universiteti i Pejës nuk do të mund të regjistrojë studentë të rinj, në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020.

Ngjashëm me Universitetin e Mitrovicës, i cili gjithashtu ka marrë rekomandim për mosakreditim, Universiteti i Pejës, është kritikuar për mungesën e dokumenteve relevante në gjuhën angleze, gjatë këtij vlerësimi.

“Procesi i përgjithshëm i akreditimit ka qenë mjaft sfidues: pavarësisht se institucioni ishte i vetëdijshëm se procesi do të kryhet vetëm në gjuhën angleze, shumë pak dokumente janë vënë në dispozicion në anglisht, në mënyrë që ekspertët ndërkombëtarë të vlerësojnë përputhshmërinë institucionale me standardet e jashtme”, thuhet në raport.

Sipas tyre, ky Universitet ka shkuar deri në ekstrem gjatë shkrimit të Raportit të Vetëvlerësimit.

“Ekipi i ekspertëve ka ardhur në përfundim se shumë pjesë të Raportit të Vetëvlerësimit, aspak nuk përkojnë me realitetin (implementimin e vërtetë të proceseve, përshtypjet reale të komunitetit të stafit akademik). Institucioni duket të ketë qenë shumë i preokupuar për të prezantuar praktikat institucionale në mënyrë pozitive, saqë ka dështuar në mënyrë të plotë në kapacitetin vetëkritik, si në dokumentet e dorëzuara, ngjashëm edhe në takimet e mbajtura gjatë vizitës”, është shkruar në raport.

Tutje ekspertet kanë theksuar se Universiteti duhet të jetë më i hapur dhe i sinqertë, kundrejt dobësive, mangësive dhe gjërave që duhet përmirësuar, në mënyrë që ekspertët të kenë një pamje më reale mbi Universitetin e Pejës.

“Kjo jo vetëm që e ka bërë të vështirë për ekipin e ekspertëve që të bënte dallimin mes informacionit objektiv, fakteve të cilat nuk mbështeteshin nga dëshmitë dhe gjykimeve të paqëndrueshme, por gjithashtu, i ka shtyrë këto eksperte, që të dyshojnë nëse Universiteti është i vetëdijshëm për sfidat e tanishme dhe ato të ardhshme, dhe nëse kanë aftësinë për identifikimin e rreziqeve në mënyrë që t’i adresojnë në mënyrë të duhur”, është sqaruar më tej.

Andaj si përfundim, ekipi i eksperteve ka deklaruar se Universiteti i Pejës, përkon pjesërisht me standardet e përfshira në manualin e akreditimit të AKA-së, prandaj edhe kanë rekomanduar që të mos akreditohet ky institucion.

“Ekipi i ekspertëve beson se këto mund të tejkalohen lehtë, nëse do të kishte një plan strategjik gjithëpërfshirës, një menaxhment të informuar dhe të aftë, një udhëheqësi të organizuar mirë, një administratë dhe sigurim të cilësisë dhe nëse komuniteti akademik do të mblidhej rreth filozofisë institucionale për t’i motivuar ata drejtë arritjes së misionit institucional”, është theksuar në përmbledhjen e këtij raporti.