Foto: Faqja Zyrtare/ Facebook

Ekspertët: Jahjaga Tejkaloi Kompetencat për Gjykatën Speciale

Ditën e martë ekspertë ligjorë në Kosovë u shprehën se Jahjaga nuk kishte asnjë të drejtë të nënshkruante marrëveshjen e fundit për ngritjen e të ashtuquajturës “Gjykatë Speciale” në Holandë dhe thanë se ajo duhet të ishte ratifikuar nga parlamenti.

Sipas Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë një votim parlamentar, nëse ato përfshijnë një sërë çështjesh.

Këtu përfshihen: territori, paqja, aleanca, çështje politike dhe ushtarake; të drejta dhe liri themelore; anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare; ose Kosova që ndërmerr detyrimet financiare.

I njëjti nen i Kushtetutës i jep presidentit të drejtën për të ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nëse nuk është pjesë e një prej këtyre pikave.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha për BIRN se marrëveshja midis Kosovës dhe Hollandës bie pjesë e nenit të të drejtave dhe lirive themelore “sepse kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut dhe liritë e të akuzuarve dhe viktimave që mund të dalin nga gjyqet në Gjykatën Speciale”.

“Presidentja i ka tejkaluar kompetencat e saj. Ishte Parlamenti i Kosovës ai që kishte autorizimin kushtetuese për të ratifikuar marrëveshje të tilla ndërkombëtare,” tha ai.

Doli tha se një veprim i tillë nga presidentja vendoset një precedent të rrezikshëm për marrëveshjet e ardhshme ndërkombëtare.

“Nuk i di arsyet pse parlamenti u anashkalua, por shpresoj që ekipet ligjore të vendit të kenë paraqitur arsyetimin që qëndron pas kësaj,” tha ai.

Profesori i drejtësisë Riza Smaka tha gjithashtu për BIRN se marrëveshja duhej të ishte ratifikuar nga parlamenti.

“Po të shohim titullin e marrëveshjes, duket se presidentja kishte të drejtë ta nënshkruante atë. Por është e rëndësishme të shohim se cila është përmbajtja e saj. Ajo ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut dhe parlamenti ishte autoriteti i duhur për ratifikim e saj,” tha Smaka, i cili është gjithashtu anëtar i një prej partive opozitare të vendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK.

Zyra e Jahjagës ditën e hënë tha se ajo ishte e autorizuar nga Kushtetura të nënshkruante marrëveshjen me Holandën për krijimin e gjykatës së re, e cila zyrtarisht quhet Dhomat Speciale të Kosovës.

Ajo u nënshkrua fillimisht nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori holandez në Prishtinë, Gerrie Willems.

Parlamenti holandez tha se nuk ishte e nevojshme që ai ta ratifikonte marrëveshjen.

“Ministri i Punëve të Jashtme i ka dërguar një letër parlamentit mbi marrëveshjen dhe se nuk ka nevojë për ratifikim nga parlamenti,” tha për BIRN Leon Van Schie nga zyra e komunikimit e parlamentit holandez.

Gjykata e re do të gjykojë luftëtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe vepra penale të pasluftës nga viti 1999-2000 dhe do të jetë e vendosur në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë.

Gjykata, e cila është e përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë, do të funksionojë sipas ligjit të Kosovës. Kjo do të thotë se ajo nuk do të jetë një gjykatë ndërkombëtare, por një gjykatë e Kosovës që administron drejtësinë jashtë vendit.

Ajo po ngrihet pasi Task Forca Speciale Hetimore e BE-së kreu një hetim 3-vjeçar mbi akuzat e bëra fillimisht nga Këshilli i Evropës, raportuesi i të cilit u shpreh në një raport në vitin 2011 se gjatë luftës në Kosovë nga ana e anëtarëve të UÇK-së ishin kryer krime kundër njerëzimit, si për shembull, rrëmbim, torturim dhe trafik organesh. [interaction id=”56d5d4304ab46a010357a1fb”]