Nga një konferencë e mëhershme e familjes Dehari | Foto: KALLXO.com

Ekspertë nga Zvicra Pritet ta Hetojnë Vdekjen e Deharit

Dy prindërit e Astrit Deharit, Avni e Xhemile Dehari, bashkë me avokatin e tyre Tomë Gashin dolën sot në një konferencë për gazetarë ku treguan se janë përcaktuar për ekspertët mjeko-ligjorë që do t’i bëjnë hetim të pavarur vdekjes së aktivistit të “Vetëvendosjes”.

Në konferencë avokati Tomë Gashi tregoi se kush do ta kryejë këtë hetim.

“Qendra Universitare e Mjekësise Ligjore në Zvicrën Franceze është angazhuar nga familja Dehari. Ata kanë pranu që të angazhojnë ekspertët më të mirë të këtij instituti dhe që ata do të merren me hetimin e pavarur që nënkupton edhe ekspertiza përkatëse që ata i kërkojnë”, tha Gashi, duke konstatuar se këta ekspertë do të jenë jashtë ndikimit të mundshmën nga institucionet kosovare.

Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, tregoi se u përcaktuan për Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze, pasi si familjarë të të ndjerit vizituan disa qendra të tilla jashtë vendit.

“Kemi kontaktuar me disa qendra universitare, konkretisht me zyrtarë të qendrave universitare të mjekësisë ligjore në Bern, Cyrih, Lozanë dhe Gjenevë dhe në fund jemi përcaktuar që të angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtarë të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze në Zvicër” tha Avni Dehari.

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, tregoi arsyet pse familja është përcaktuar për ekspertët zviceranë.

“Jemi përcaktu për Zvicër. Arsyeja është se kemi jetu 19 vjet atje, kemi miq shumë”, tha Xhemile Dehari.

Ajo foli edhe pse familja dëshiron hetim të pavarur për vdekjen e Astrit Deharit.

“Nëse u lejohet me ardhë e me konstatu edhe njëherë vdekjen ose vrasjen e Astritit, na e kanë marrë pa kurrfarë arsye prej shpije, e kanë burgosë, në paraburgim ka vdekë”, tha Xhemile Dehari.

Prindërit e Astrit Deharit dhe avokati i tyre thanë se do ta pranojnë rezultatin që do të dalë nga hetimet e ekspertëve zviceranë për Deharin, pavarësisht së çfarë do të konstatojnë ata.

Familja Dehari vendosi në lidhje me këta ekspertë, pasi Kuvendi i Kosovës në një diskutim për rastin e vdekjes së Astrit Deharit miratoi një rezolutë me të cilën “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.

http://kallxo.com/krejt-cka-ndodhi-ne-seancen-per-astrit-deharin/

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e konsideroi vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e cilësuan vrasje.

http://kallxo.com/mjekesia-ligjore-percakton-se-astrit-dehari-beri-vetevrasje/

http://kallxo.com/tome-gashi-konteston-versionin-zyrtar-te-vdekjes-se-astrit-deharit/