Ekskluzive: Kush janë të akuzuarit për mashtrim lidhur me statusin e veteranëve të UÇK-së

Rreth 35 faqe i janë dashur një prokurori të EULEX-it t’i përshkruajë pretendimet e tij ndaj gjashtë të akuzuarve që i akuzon për disa vepra penale.

Kështu një hetim i filluar në vitin 2016 ka rezultuar me aktakuzë për veprën penale të importit, eksportit, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ose shitje e paautorizuar e armëve ose materialeve tjera plasëse, ushtrim të ndikimit, mashtrim, dhe mundësim ose detyrim në prostitucion

Për  veprën e parë, atë të armëve pa autorizim,  po akuzohen Sheremet Jashari, Naser Veseli si dhe Avdullah Rama.

Sipas aktakuzës që KALLXO.com e ka siguruar, Jashari, Veseli dhe Rama duke vepruar sipas një plani të përbashkët kanë vendosur disa muaj para janarit 2016 të angazhohen në aktivitetet që kanë të bëjnë me shitjen, furnizimin, transportimin dhe ndërmjetësimin e armëve përkundër që asnjëri prej tyre nuk ka pas ndonjë lloj autorizimi ligjor, leje apo pajtim për t’u marrë me armë.

“Në avancimin e një plani të tillë, më 30 janar 2016 të akuzuarit e përgatitën një operacion lidhur me blerjen e dhe transportimin e 12 kg eksploziv dhe dy mitralozave”, thuhet në aktakuzën e siguruara nga KALLXO.com

Aktakuza përshkruan se një rreth orës 15 të kësaj date në fshatin Bresje nga njësia patrulluese ishte ndalur një furgon ku pas bastisjes ishin gjetur 62 paketime në formë të tjegullave me material plasës TNT, me peshë totale prej 12.300  si dhe dy mitralozë.

Po atë ditë, sipas aktakuzës, në shtëpinë e njërit nga të akuzuarit ishte gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë me dylbi.

Qëllimi i të akuzuarve, sipas aktakuzës, ishte që armët e blera t’i shisnin dhe të sigurojnë përfitim material.

Edhe i akuzuari tjetër Franqesk Selmanaj akuzohet për veprën e importit, eksportit, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve.

Sipas aktakuzës, që nga fillimi i dhjetorit të vitit 2015, i akuzuari ka qenë i përfshirë në aktivitetet lidhur me shitjen, furnizimin, transportimin dhe ndërmjetësimin e armëve, përkundër faktit që nuk ka pas ndonjë autorizim apo leje për ta bërë këtë.

 

“Gjatë bastisjes së shtëpisë të kryer më 20 prill 2016 në rezidencën e Franqesk Selmanaj në Radulloc të Klinës, i pandehuri është gjetur në posedim të një boksi metalik, dy gëzhoja të pushkës së gjuetisë dhe 27 fishek”, përshkruhet në aktakuzë.

Katër pikat tjera të aktakuzës rëndojnë disa persona në lidhje me statusin e veteranit të UÇK-së.

Sheremet Jashari dhe Vesel Aruqaj akuzohen për mashtrim sepse sipas aktakuzës që nga dhjetori 2015 duke vepruar sipas një plani të përbashkët në tërë Kosovën kanë dorëzuar formular aplikimi në lidhje me gjoja kontributin e qytetarëve kosovarë në luftën për çlirimin e Kosovës, që nuk korrespondojnë me realitetin.

“Aplikacionet janë dorëzuar në Zyrën për çështjet e kategorive të dala nga lufta në mënyrë që kandidatëve t’u pranohet kategoria e veteranit Luftëtar i UÇK-së, përkundër faktit që këta persona nuk i përmbushnin kriteret ligjore”, përshkruan aktakuza.

Të njëjtit persona akuzohen edhe në pikën 5 të aktakuzës për ushtrim ndikimi.

Pika 6 e aktakuzës rëndon mbi Bajram Sinanin. Sipas aktakuzës, Bajrami që akuzohet për veprën penale të mashtrimit, në janar 2013 aplikoi për njohjen e statusit të veteranit përmes një parashtrese në Zyrën për çështje të kategorive të dala nga lufta.

“Ai veproi me qëllim që vetes t’i sigurojë përfitim të kundërligjshëm material duke i mashtruar autoritetet për shkak se informatat që i ofroi në formularin e aplikimit të tij që ai ishte në linjë të frontit gjatë luftës së UÇK-së gjatë periudhës kohore 1998-1999 dolën të jenë të rrejshme dhe nënshkrimet e dëshmitarëve të renditur në formularin e tij të aplikimit kanë qenë të falsifikuara”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorit të EULEX-it.

Edhe pika e 7 dhe e fundit e aktakuzës e ngarkon Bajram Sinanin por këtë herë për veprën penale të falsifikimit.