Ekskluzive: Gjyqtarët e Kushtetueses morën pagat pa rritje
Edhe pse ka kaluar një muaj nga koha kur u bë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili jepte dritën e gjelbër vendimit të Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave, vetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë marrë pagën me rritje siç përcaktohet me vendim.
7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të cilët vlerësuan se vendimi i Qeverisë nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, megjithatë nuk i kanë pranuar pagat e tyre me rritjen që u shkaktoi vendimi i Qeverisë.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.
“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk i marrë pagat me rritje”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Dula.
Më 21 dhjetor të vitit të kaluar u raportua se kryeministri Haradinaj do të ketë një pagë që arrin dyfishin e asaj aktuale. Krejt kjo pasi që në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u votua një vendim sipas të cilit rroga e Haradinajt do të ishte hiç më pak se 2 mijë e 950 euro. Paga e kryeministrit para rritjes ishte 1 mijë e 443 euro.
Përveç pagës së kryeministrit, vendimi i Qeverisë preku edhe pagat e ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve politikë, shefave të kabineteve e zyrtarëve tjerë brenda Qeverisë së Kosovës që përfituan rritje të ndjeshme në pagat e tyre.
Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave pati jehonë të madhe në publik dhe u kundërshtua e u ironizua fuqishëm në opinionin publik ndërsa rreth një muaj më pas, Agjencia Kundër Korrupsion e Kosovës nxori një opinion ku gjeti se ka pasur konflikt të interesit me rastin e ngritjes së pagave.
“Vendimi i Qeverisë i datës 20.12.2017 nuk mund të cilësohet si konflikt interesi për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga nxjerrja e këtij vendimi. Konflikti i interesit është paraqitur tek zyrtarët e lartë të cilët me votën e tyre kanë ndikuar që Vendimi të jetë në interes të tyre për përfitime personale”, konstatoi AKK në opinionin e saj.
Më tej AKK kishte rekomanduar anulimin e vendimit për rritjen e pagave.
“Prandaj, përmes këtij Opinioni, AKK rekomandon që Vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”, rekomandoi AKK.
Edhe pse AKK përmes opinionit ishte shumë e qartë se ka pasur konflikt të interesit, Qeveria e Kosovës nuk e përfilli këtë opinion fillimisht por pas disa ditësh, kryeministri Haradinaj njoftoi për pezullimin e këtij vendimi edhe pse e quajti të ndikuar politikisht.
“Pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, shkroi Haradinaj.
Saktësisht më 11 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj sipas së cilit vendimi i Qeverisë Haradinaj nuk kishte cenuar Kushtetutën e vendit.
Në ndërkohë, edhe pse Agjencia Kundër Korrupsion vazhdon të theksoj se vendimi për ngritjen e pagave përbën konflikt të interesit, Qeveria e Kosovës e ri fuqizoi vendimin për ngritjen e pagave dhe pagat u morën në rritje prej zyrtarëve që i influencon ky vendim, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët.
Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës fare nga aspekti i konfliktit të interesit duke përmendur vendimin e AKK-së në këtë drejtim.
KALLXO.com ditën e publikimit të vendimit raportoi se si vetë gjyqtarët e Kushtetueses në mënyrë indirekte i kishin ngritur pagat e tyre.
Vetë Ministri i Financave në Kabinetin Haradinaj, Bedri Hamza u raportua se nuk e ka pranuar pagën me rritje.
Në ndërkohë, përkundër se KALLXO.com ka kërkuar të dijë arsyen se pse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë marrë pagën me rritje, nuk ka pranuar ndonjë përgjgije gjatë ditës së sotme.